The Guardian shkruen për triumfin e Ferronikelit dhe rrëfimin prekes të kapitenit Gërbeshi qysh i ka pshtue masakrës gjatë luftës

Në ndeshjen e fundit në Drenas, ku ekipi i Feronikelit u përballë kundër Drenicës, ishte i pranishëm nji gazetar i gazetës së njohun angleze “The Guardian”.

Ajo ndeshje ishte festive për ekipin e Feronikelit, mbasi përveç që fitoi titullin e Super Ligës së Kosovës, ekipi nga Drenasi edhe zyrtarisht ka me qenë ekipi i parë kosovar që ka me marrë pjesë në garat para-eliminatore të Champions League.

Gazetari Nick Ames, shkruen se si Kosova ma n’fund u pranue me t’drejta të plota në UEFA dhe FIFA, si dhe andrrat e ekipeve kosovare për me luejtë në garat europiane që u banë realitet.

Nick Ames, ka shkrue edhe për kapitenin e Feronikelit, Fidan Gërbeshi, i cili gjatë kohës së luftës kishte përjetue gjana të tmerrshme.

Gërbeshi i kishte pshtue nji masakre të ndodhun gjatë luftës në vitin 1999 në Kosovë. Ai kishte pa me sy vrasjen e 40 personave e që 17 prej tyne ishin të masakruem.

“Ndoshta unë jam me fat që jam sot këtu. Në grupin ku kam qenë edhe unë, 17 persona u masakruen. I kam pa me sytë e mi”, ka thanë Gërbeshi.

Nji prej të vdekunve në atë masakër që ka kallxue Gërbeshi për gazetarin e “The Guardian” ishte edhe axha i tij, Rexhep Rexhepi, emën ky që tash e mban stadiumi i Feronikelit. Rexhepi ishte po ashtu futbollist në të kaluemen.