United i thotë “Jo”, Mourinho drejt PSG ose Realit

Manchester United asht gati me i thanë “Jo” Jose Mourinho-s. Ende asgja nuk asht zyrtare, por mediat angleze bajnë të ditun se do t’i takojë Ryan Giggs me vazhdue operacionin e rilindjes së klubit anglez. Mozaiku i stolave të klubeve të mëdha të Europës për sezonin e ardhshëm ende nuk asht kompletue dhe fati i Zinedine Zidane dhe Laurent Blanc mbeten ende pezull. Fitorja 3-0 ndaj Wolfsburgut në shenjën e Cristiano Ronaldos ka rritur kuotat e Zizou, por Florentino Perez duket i tentuem nga ideja për me rimarrë te Reali i Madridit nji nga trajnerët e tij të preferuem. Jo rastësisht, mediat spanjolle e kanë theksue disa herë këtë opsion, por gjithsesi duhet prit fundi i sezonit pasi nji triumf në Champions do ta bante të pamundun largimin e Zidane.

Por, nëse në Madrid mbetet për me u pritë rezultatet e fund-sezonit, në Paris gjanat janë ndryshe. Të martën përfaqësusit e PSG nxituen me i dhanë votëbesimin Laurent Blanc, në të nxehtë, menjëherë pas eliminimit në Champions nga Manchester City, por presidentit Al Khelaifi i shpëtuen disa fraza aspak siguruse në lidhje me trajnerin francez që ka rinovue së fundmi kontratën deri në vitin 2018. Në Doha padyshim që ky eliminim djeg, mbi të gjitha mbasi erdhi kundër rivalëve të Abu Dhabit, nga sheikët e Citizens. Emiri Al Thani në javët e ardhshme ka me e ba të ditun strategjinë për sezonin e ri dhe mbetet ende për me u kuptue nëse frenat e skuadrës kanë me mbet në duart e Blanc. Para se të rikthehej te Chelsea, Mourinho u raportue disa herë për nji transferim t’mundshëm te kampionët e Francës, por ai ma vonë preferoi me u rikthye në Premier League.