United ja shtyjnë festën Ranierit, Leicester me sytë kah Chelsea

Festa e titullit duhet me pritë, mbasi Leicester nuk arriti ma shumë se nji barazim 1-1 në “Teatrin e Andrrave” ndaj Manchester United. Nji rezultat i drejtë për atë çfarë u pa në fushën e lojës.

Formacioni i Ranierit duhet me i marrë edhe dy pikë nga dy ndeshje të tjera për me u shpallë kampion, por shampanja mundet me u hap qysh t’hanën në mbramje, në rast se Chelsea arrin me mposht Tottenham në “Stamford Bridge”.

“Dhelpnat” që luejtën pa sulmuesin kryesor Jamie Vardy, e panë veten në disavantazh qysh në minutën e 8, kur Anthony Martial shfrytëzoi nji top që erdhi nga krahu për të mposht poriterin Schmeichel.

Mirëpo, barazimi vjen vetëm 10 minuta ma vonë, kur mbas nji goditje dënimi, Drinkwater gjen kryet e kapitenit Wes Morgan me këtë të fundit që shënon për 1-1.

Deri në fund të takimit shifrat nuk ndryshuen, edhe pse Riyiad Mahrez e Wayne Rooney lëshun nga nji mundësi të artë për me shënue. Në të 87-n, Drinkwater u ndëshkue me kartonin e dytë të verdhë tue e lanë Leicesterin me 10 lojtarë.