Vendimi përfundimtar i ‘Tifozave Kuq e Zi’

“Tifozat Kuq e Zi” nuk kanë me u kthye në stadium, së paku deri në përfundim të eliminatoreve të Botnorit 2018.

Pamvarësisht letrës së hapun të Federatës Shqiptare të Futbollit, grupimi i mbështetësve të Kombëtares së Shqipnisë nuk ka me ndryshue vendimin e marrë dy ditë ma parë, nëse policia vazhdon me të njajtin trajtim.

Në nji prononcim për “SuperSport”, disa prej drejtuesve të TKZ’s shpjegojnë arsyet e vendimit drastik dhe pikat ku nuk bijnë dakord me sjelljen e forcave të rendit.

“Janë marrë masa drastike ndaj nesh. U ushtrue presion shumë i madh. Këto masa nuk janë regjistrue vetëm në ndeshjen e fundit, por po përsëriten në vazhdimësi. Në çdo ndeshje që luen Kombëtarja, për cilindo ekip që vjen, merren të tilla masa që tejkalojnë çdo lloj norme”, shprehet Gerti Peshkopia.