Video e re e publikueme i ‘vnon kapak’ karrierës së trajnerit të shkarkuem anglez

Skandali që fundosi ish-trajnerin e kombëtares angleze Sam Allardyce po zgjerohet ende ma shumë. Daily Telegraph ka publikue nji tjetër video, ku në qendër të saj asht menaxheri italian Pino Pagliara, i cili zbulon informacione që përfshijnë trajnerë dhe ish-trajnerë të ekipeve nga Premier League.

Në videon e publikueme shihet se agjenti italian Pagliara, i cili u skualifikue në vitin 2005 për shkak të çashtjes Genoa-Venezia dhe valixhes së famshme me 250 mijë euro, flet për 5 trajnerë, të cilët e kanë pague personalisht atë për përfitimet e paligjshme nga transferimi i lojtarëve.

‘Kam mendue se italianët ishin të korruptuem, por këtu në Angli gjanat po shkojnë edhe ma keq, mbasi gjithçka bahet në msheftësi- janë fjalët e italianit në video, i cili mandej kallxoi dhe mënyrën e funksionimit të skemës.

Në bisedat e bame, Pagliara fliste shpesh për nji term kafe, e cila nënkuptonte ryshfetin dhe përfitimin e paligjshëm. Gjatë fjalës së tij me gazetarët biznismenë nga Lindja e Mesme, Pagliara dha detaje për nji trajner që drejton aktualisht nji ekip në Premier League, i cili i kërkon gjithnji pare mbasi nuk ka nji pagë të naltë në ekipin ku ai punon.