Google e fotografon Shqipninë. Shumë shpejt bahet pjesë e “Google Street View”

google-2.jpg

“Street View” asht programi i hartëzimit i gjigantit amerikan të teknologjisë “Google”, që u mundëson përdoruesve të tij me i pa ma në mbrendësi rrugët, objektet, zonat turistike apo qytete të tana në pjesën ma të madhe të globit.

Deri më tani, Shqipnia ishte lanë jashtë këtij programi por jo ma.

Veturat e “Street View” kane me nis nga 29 Prilli fotografimin e zonave turistike dhe rrugët e qyteteve kryesore shqiptare.

Ministrja e Integrimit në Shqipni, Milena Harito deklaroi sot gjatë prezantimit të projektit ‘Google Street View’ se për 8 javë Google ka me qenë në qytetet kryesore për me fotografue rrugët e Shqipnisë.

“Na kemi disa vjet që bajmë përpjekje përmes bashkëpunimeve të ndryshme me Google për me ba këtë proces edhe në vendin tonë. Makinat e Street View nisin punën me 29 Prill dhe kane me punue për 8 javë në qytetet kryesore të Shqipnisë, bregdetare dhe destinacionet turistike”, tha ajo.

Ministrja Harito tha se nisma ka me ndihmue në përmirësimin e imazhit të vendit tonë në sytë e turistëve të huej.

“Ka me iu dhane besim turistëve me ardh në Shqipni dhe me shikue me sytë e tyne bukuritë tona natyrore dhe kulturore”, tha ajo.