Stuhia diellore që për pak shkaktoi Luftën e Tretë Botnore

Në Maj të vitit 1967, tre radarët e rrjetit të mbrojtjes anti-raketë të SHBA’ve BMEWS (Sistemi paralajmërues i hershëm i raketave balistike) të projektueme për me kapë raketa balistike të lëshueme nga ish-Bashkimi Sovjetik pësuen nji bllokim në të njajtën kohë.

Tue mendue nji sulm të menjihershëm nga shteti komunist, gjeneralët amerikanë menjiherë kërkuen që të pregaditej ushtria dhe marina të dilte në det për me qenë gati për nji kundërpërgjigje ndaj armikut.

Por, për fat të mirë, nji grup shkencëtarësh arriti që të shmangte konfliktin nuklear me pasoja të jashtëzakonshme dhe Luftën e Tretë Botnore dhe kallxoi se mosfunksionimi i radarëve erdhi si pasojë e nji stuhie diellore. Mbas 50 vitesh, kjo ngjarje u kallxue në revistën amerikane “Space Weather”.

Udhëheqësi i studimit, Delores Knipp, rindërtoi edhe njiherë rrethanat historike për atë që konsiderohet si stuhia diellore ma e fuqishme e shekullit të fundit.

“Nëse na nuk e kishim ba nji investim të hershëm për vëzhgimet në hapsinë dhe për parashikimet e stuhive diellore e gjeomagnetike, atëherë impakti i atij ndriçimi kishte me qenë shumë ma i madh”, u shpreh ai.

Ushtarakët amerikanë kishin nisë që të monitoronin ndërhymjet në fushën magnetike dhe në atmosferën tokësore që në vitet 50.

Në dekadën mbasardhëse u krijue nji strukturë e veçantë në “Air Force”, “Air Weather Service” (Shërbimi Ajror i Motit), që merrej me vëzhgimin e vazhdueshëm të njollave diellore.

Më 23 Maj 1967, këta shkencëtarë me sy të lirë dalluen se në 36-48 orët e ardhshme kishte me pasë nji stuhi diellore. Por, asnji nuk hipotetizoi se valët radio kishin me goditë tokën edhe ma parë, e mbi të gjitha që kishin me bllokue tre stacione të ndryshme të mbrojtjes anti-raketë

Koloneli Arnold L. Snyder, në atë kohë studiues i diellit në “North American Aerospace Defense Command” (NORAD) u pyet nëse kishte mundësi të kishte ndodhë nji diellore në ato orë dhe informoi eprorët për situatën. Mandej, informacioni shkoi deri te presidenti i SHBA’ve, Lyndon Johnson, e kjo bani të mundun shmangien e nji operacioni ushtarak.

Për 40 orë me radhë, si pasojë e stuhisë diellore, nji pjesë e mirë e telekomunikacionet mbrenda Amerikës u nxor jashtë përdorimit.