Sulm masiv në Facebook, kujdes nëse ju vjen ky mesazh

Facebook ka ra pre i nji sulmi masiv kibernetik. Bahet fjalë për nji virus të shpërndamë me shpejtësi dhe simbas ekspertëve për sigurinë, dyshohet se ka arritë me prekë 1 person në 20 sekonda.

Përdoruesit e prekun mësohet se kanë marrë nji mesazh ku shkruhej se nji prej “miqve” i ka përmendë në nji postim.

Nji moment që përdoruesi hap këtë mesazh, hacker’at janë në gjendje me i vjedhë llogarinë.

“Nga data 24 deri me 27 Qershor, me mija përdorues kanë marrë nji mesazh nga nji prej miqve të tyne në Facebook, ku shkruhej se e kishin përmendë në nji koment”, shpjegon për britaniken “Telegraph”, nji ekspert mbi sigurinë në “Kaspersky Lab”.

“Mesazhi në fakt ishte dërgue nga hacker’at, të cilët me anë të tij, “çliruen” nji sulm me dy faza. Faza e parë ishte që instaluen në kompjuterin e përdoruesit nji Trojan, ndër të tjera edhe nji extension keqbamës në Chrome. Kjo bani të mundun dhe fillimin e fazës së dytë. Marrjen në dorë të llogarisë së Facebook, tue u futë sërish në rrjetin social, nëpërmjet browser’it të infektuem”, shpjegon eksperti.

Ky sulm i jep mundësinë hacker’ave që me i ndryshue opcionet e privatësisë, të vjedhin të dhanat dhe ta përhapin virusin te miqtë e personit të prekun në Facebook.

Simbas ekspertit, përllogariten rreth 10 mijë llogari të infektueme nga ky virus, në Amerikën e Jugut, Europë, Tunizi dhe Izrael, ndërsa pjesa ma e madhe e incidenteve kanë ndodhë në Brazil.

Krejt ata që dyshojnë se munden me u prekë, këshillohen që me ba nji skanim të kompjuterit.

Ndërkohë, Facebook thotë se ka marë masa për me bllokue këtë sulm, në mënyrë që mos me u përhapë te përdoruesit e tjerë.