Pianistja e parë shqiptare – Lola Gjoka, qe cilat kangë i kompozoi ajo

E kush nuk e njeh këtë za! Asht Nexhmije Pagarusha tue knue “Kangën e Rexhës”.
Po ky variant asht paksa larg origjinalit, të knuem rreth 50 vjet ma parë nga nji tjetër artiste e madhe shqiptare: Marije Kraja.

E pra, pak kush e di se kjo kangë asht shkrue për herë të parë në nji partiturë nga pianistja dhe kompozitorja e parë shqiptare, Lola Gjoka-Aleksi, edhe pse kompozitorë të shquem si Lorenc Antoni, Akil Koci etj, i janë kthye me variantet e tyne.

E lindun me 22 Maj të vitit 1910 në Sevastopolin e Krimesë së largët, tash t’aneksueme nga Rusia, Lola Aleksi i përkiste nji familje emigrantësh shqiptarë nga fshati Bulgarec i Korçës.

Mbas shkollës së mesme për piano në vendlindje, ajo kthehet në Shqipni në vitin 1932, ku bjen menjiherë në kontakt me artistët ma të mirë shqiptarë të kohës së saj: Jorgjia Truja, Marie Kraja, Kristaq Antoniu e sidomos Tefta Tashko, me të cilën e lidh nji miqësi e pandashme.

Qe çka thotë pianistja për njohjen me kangëtaren e parë lirike shqiptare, në këtë dokumentar të vitit 1973.

Lola Gjoka ishte pianistja që e shoqnoi Tefta Tashkon në turret e koncerteve në Shqipninë e asaj kohe.

I tillë asht edhe koncerti në Fier, për të cilin, në vitin 1978, Kinostudioja “Shqipnia e Re” realizoi filmin “Koncert në vitin 1936”.

Lola Gjoka kishte marrë çertifikatën e nderit në konkursin e pianos në Vjenë t’Austrisë në vitin 1933, e mandej kishte mbarue edhe studimet e nalta n’Athinë, e për këtë arsye u emnue nga Ministri i Arsimit Hilë Mosi, mësuese e pianos në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë të Tiranës.

Në vitin 1938, bashkë me Tefta Tashkon, Jorgjie Trujën e Marie Krajën përfaqësojnë Shqipninë në Panairin e Firences, në Itali.

Mbas Luftës së dytë, Lola Gjoka emnohet koncertmaestre në Filharmoninë Shqiptare, ku ven në skenë shumë opera botnore.

Të njajtin rol e vijoi edhe në Teatrin e Operas, e mandej edhe në Konservatorin e Tiranës, si dhe në shumë koncerte jashtë Shqipnisë.

Ajo mori dy titujt ma të naltë që jepeshin në atë kohë: Artiste e Meritueme dhe Artiste e Popullit.

Përveçse pianiste, koncertmaestre, Lola Gjoka ka mbledhë ose kompozue rreth 52 kangë, në mesin e të cilave edhe të famshmet “Kroi i fshatit tonë”, por edhe “Dashnor t’u bana”, “Dola n’penxhere”, “Karajfilat që ka Shkodra”, “Kanga e Emines”, “Kjo dashnia qoft mallkue”, “Pranvera filloi me ardh”, “Shamia e beqarit”, shumica prej të cilave, prej gurrës së pashterrshme të muzikës popullore.

Aroma e kangës popullore e ndoqi Lolën deri në Sevastopolin e largët, – ka thanë për te, dirigjenti i parë shqiptar, Mustafa Krantja.

Përmbledhja me 50 kangë të saj, u botue me rastin e 100-vjetori të lindjes, në Maj të vitit 2010, ndërsa në vitin 2002, studiuesja e muzikës, Hamide Sringa, botoi monografinë “Nji jetë mbi tastierë”, kushtue kompozitores dhe pianistes së njoftun.

Në këto kuadro nga filmi i vitit 1979, “Ballë për ballë”, artistja shfaqet në rolin e nji personazhi, 6 vjet para vdekjes, me 6 Tetor të vitit 1985.