Serbët janë shumë të painformuem për luftën e Kosovës

Sa herë që dikush ngre çashtjen e krimeve të serbëve, përballet me kundërshtime t’ashpra të radikalëve ekstremistë.

Kështu tha për Televizionin Rrokum, Jasmina Lazovic, organizatorja e protestës në Beograd, me slloganin “Shumë të ri për me kujtue, të vendosun për mos me harrue” .
“Me të tilla gjana u përballëm edhe sot. Na thanë se duhet me na ardhë marre dhe se ne jemi antiserbë, por ne nuk na interesojnë oponionet e tyne. Na duem me i sqarue të rive që nuk e kanë të qartë se çka ndodhë në Kosovë, pse ka ndërhy NATO apo si kanë rrjedhë gjanat. Duem që të ritë serbë me e pa anën e vërtetë të ngjarjes dhe të ritë janë gati me na ndigjue dhe me na kuptue.

Tue shpjegue qëllimet e organizatës, Lazovic tha se në periudhën e përvjetorit të ndërhymjes së NATO’s, duen me ju kujtue qytetarëve serb se nuk ka vetëm viktima të bombardimeve, por se pikërisht në këtë periudhë, kanë ndodhë gjana të tmerrshme në Kosovë, ku nga forcat policore serbe janë vra nji numër shumë i madh i civilëve të pafajshëm.

E pyetun mbi qasjen e serbëve ne përgjithësi ndaj luftës së Kosovës, ajo tha se ekziston nji mosinformim i naltë qytetar mbi arsyet e nisjes së luftës, ndërhymjes së NATO’s, për viktimat serbe e ato shqiptare.

Kisha me thanë se ka nji injorancë totale ndaj asaj që ka ndodhë, njerëzit në Serbi munden me u nda në tre grupe:

Ata që merren me të drejtat e njeriut dhe janë pjesë e organizatave të shoqnisë civile, të cilët e kuptojnë që bashkëpunimi rajonal asht i nevojshëm dhe me trajtue çashtjet e së kaluemes asht shumë me randsi.

Grupi i dytë janë nacionalistë ekstremistë, të cilët dinë me qenë edhe të dhunshëm dhe prezentojnë nji valë ma tradiconale të shoqnisë. Këto dy grupe janë të vogla krahasue me grupin e tretë, që përbahet nga njerëz të cilët nuk kanë pothuejse asnji informacione mbi luftën.

Lazovic theksoi se në këtë drejtim nuk ka aspak angazhim nga ana e institucioneve, organizatave apo mediave në Serbi por se vazhdon me pasë stereotipe mbi Kosovën dhe kosovarët.

Në kuadër të organizatës, kam sjellë disa herë të ri serb në Kosovë. Në fillim tremben, kjo për shkak të stereotipeve të krijueme nga ana e medias serbe, por mbas 10 minutash në Prishtinë, ata ndryshojnë mendimin për kosovarët, tue u kthye në Beograd me nji qasje shumë pozitive.

Lazovic tha se si organizatore, nuk i pëlqeu fakti që në ekspozitën e Saranda Bogujevcit mori pjesë kryeministri i asaj kohe Ivica Dacic, sepse e dinte që ai nuk kishte me thanë se i vjen keq për ato që kanë ndodhë.

Por tue folë për ekspozitën, ajo tha se shumë njerëz e patën rastin që përmes ekspozitës me pa luftën nga ana e kosovarëve, derisa theksoi se edhe në Serbi vazhdon me pasë njerëz me pasoja të luftës dhe se këto tema janë shumë prezente në shoqninë serbe, por se megjithatë nuk diskutohen publikisht pothuajse fare.

Lazovic foli edhe për ftesën që Hashim Thaçi ia ka ba presidentit serb Tomisllav Nikolic me rastin e ceremonisë së marrjes së postit të presidentit.

Ajo u shpreh e bindun se për shkak të politikave që partia e Nikolicit ndjek, por edhe sepse në Serbi aktulisht po zhvillohet fushata ekektorale, nuk ka shans që Nikolic me ju përgjigjë pozitivisht ftesës së Thaçit.

E në fund, na i kërkuem Lazovic’it që në gjuhën e saj me shprehë denimin për krimet serbe në Kosovë gjatë luftës, e ajo u përgjigj në këtë mënyrë: