Ushtarë nga Kosova e Shqipnia në Kroaci në stërvitjet e NATO’s

Në kuadër të stërvitjeve ushtarake e NATO’s “Përgjigjja e menjihershme-19”, e cila po mbahet në Kroaci, Slloveni e Hungari që nga 10 Maji e vazhdon deri me 6 Qershor, raportohet për arritjen në portin e Zarës të dy anijeve desante të marinës luftarake të Kroacisë, “Krka” dhe “Cetina”, nga të cilat dje “kanë zbarkue qinda pjesëtarë të Forcave të Armatosuna të Shqipnisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës me 23 automjete”, raporton sot agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

Siç citohet komandanti i anijes “DBM-82: Krka”, Davor Alujevic, “kjo asht hera e parë që me anijet e Marinës Luftarake të Kroacisë të transportohen forca të Shqipnisë e të Kosovës me vend-zbarkim në portin e shtetit aleat, përkatësisht nga Porti i Durrësit”.

Agjencia kroate e lajmeve, “Hina”, thekson se, “mbas zbarkimit në Gazhenicë, ato forca me rrugë tokësore kanë me u transportue në poligonin ushtarak ‘Eugen Kvaternik’ te Sllunji (Kroaci)”.

Shperndaje në: