Mbas vendimit të Gjykatës për Ekipin Negociator si antikushtetues, Ahmeti e merr këtë vendim

Mbas vendimit të Gjykatës Kushtetutese tue shpallë Ekipin Negociator në krye me Limajn dhe Ahmetin antikushtetues, kryetari i PDS, Shpend Ahmeti, ka thanë se e pranon këtë vendim, dhe do të veprojë simbas tij.

Ky asht shkrimi i plotë i tij:

Sot Gjykata Kushtetuese ka shpallur Ligjin për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror në tërësi në shpërputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht, nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenesë ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurfarë rëndësie ligjore.

Partia Socialdemokrate, vitin e kaluar ka marr iniciativën për të kthyer procesin e vendimmarrjes në lidhje me dialogun me Serbinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një republikë parlamentare, dhe për një interes shtetëror e konsideronim të domosdoshme që procesi të ndërtohet me një unifikim të partive politike për të harmonizuar qëndrimet dhe për të mbrojtur interesat e shtetit tonë në një proces përfundimtar të dialogut Kosovë – Serbi. Po ashtu kërkesa jonë ishte që të hiqet monopoli i presidentit Thaci mbi dialogun dhe vendimmarrja të shpërndahej në institucionin më të lartë ligjvënës në vend.

Kërkesa jonë që kjo të bëhet me 2/3 e votave të Kuvendit u bojkotua nga partitë tjera opozitare. Megjithatë delegacioni u krijua me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke mos patur besim te implementimi i rezolutës kërkesa jonë e vetme dhe kryesore ishte definimi i kompetencave të delegacionit shtetëror me Ligj, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohej autoriteti i Delegacionit si institucion i vetëm që mund të negociojë marrëveshjen me Serbinë. Kësisoji, do të parandaloheshin autorizimet dhe takimet e fshehta të individëve dhe do të pamundësohej një marrëveshje e shpejtë.
Fatkeqësisht, tentimin tonë për të ja dhënë kompentencat dhe fuqinë vendimmarrëse Kuvendit e sfiduan dy partitë tjera opozitare LDK dhe VV.

Shperndaje në: