Opozita e gatshme për koalicione parazgjedhore, PDK thotë se nuk tutet

LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të gatshme edhe për koalicion parazgjedhor në rast se partitë tjera parlamentare kanë me veprue njajtë para se me shkue në zgjedhje, por preferojnë me kandidue të vetme për me pa përkrahjen e qytetarëve të Kosovës. Këtij koalicioni të mundshëm PDK thotë se nuk i tutet dhe se nuk kanë vija të kuqe për asnji parti. Qëndrim të njajtë ka edhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës.

Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike të Kosovës tha se në parim qëndrimi i LDK’s asht që çdo parti me shkue e vetme në zgjedhje, por nëse partitë parlamentare lidhin koalicion parazgjedhor, atëherë do të jenë të interesuem për koalicion opozitar tue nënkuptue – Vetëvendosjen.

Megjithatë, Gashi tha se qëndrimin për këtë çashtje duhet me dhanë kryetari i LDK’s.

“Në princip, Lidhja Demokratike e Kosovës është e interesuar është që të gjitha partitë parlamentare të shkojnë të vetme në zgjedhje. Dhe ky është principi i parë, ne funksionojmë pra partitë parlamentare. Ato parti të cilat janë në parlamentin e Kosovës të shkojnë të vetme në zgjedhje dhe të shohim se cili është rezultati zgjedhor, në bazën e kësaj e kemi legjitimitetin dhe të dijmë që dijmë forcën relative të gjithë secilit, pra të dijmë se sa ka përkrahje secila parti… Për këtë arsyeje ne preferojmë që të shkojmë veç e veç në zgjedhje partitë parlamentare. Nëse kemi koalicione prej partive parlamentare, pra nëse AAK apo PDK ose tjerat vendosin që të shkojnë bashkë, ne normalisht kemi orientimin tonë strategjik, preferojmë koalicion opozitar, thashë se këtë përgjigje e jep kryetari i LDK-së, por mendoj se po nënkuptohet”, tha Gashi.

Për këtë u pajtue edhe deputetja nga Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ajo gjatë debatit me temën “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, tha se tha se pasqyra ma e qartë se sa subjekte politike kanë përkrahje të qytetarëve, asht që me garue të vetme.

Në rast të koalicionit parazgjedhor, Haxhiu ka tregue se kush ka me qenë bartësi i listës.

Ndryshimi i vërtetë në Kosovë vjen kur nga diskutimi jonë hiqen këto emrat e përveçëm apo diskutimet mbi postet. Lëvizja Vetëndosje nuk do të vendos që postet të bëhen pjesë e ndonjë marrëveshje, për shkak se mendoj që kësaj ia kemi parë sherrin. Mendoj që për këtë shembull ka qenë qeverisja e kaluar, ku pa mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, një subjekt i vogël, e merr drejtimin e qeverisjes… Në qoftë se hyjmë si subjekte të vetme, dhe e shohim cilin kandidat, apo cilin subjekt po e mbështesin qytetarët e Kosovës. E dyta me hy në koalicion parazgjedhor pa kandidatë për kryeministër, ai që merr më shumë vota nga kandidatët, a merr Albini, a merr dikush nga LDK, ai le të jetë kandidatë për kryeministër”, tha Haxhiu.

Mes tjerash, Haxhiu deklaroi se dorëheqja e Haradinajt nuk ka ardhë për shkak të ftesës që ka pranue nga Gjykata Speciale.

Ajo tha se Vetëvendosje e ka kundërshtue datën 22 Gusht për shpërndamje të Kuvendit, mbasi simbas saj, partitë që janë kundër këtyne zgjedhjeve edhe munden me përfitue gjatë kësaj kohe me ba kalkulime.

E, Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo parti asht deklarue që nuk asht për harrnim të Qeverisë, por për mbajtje të zgjedhjeve.

Megjithatë, ajo tha se ka pritë korrektësi nga Haradinaj, si partner i koalicionit.

Foli edhe nëse PDK tutet nga koalicioni LDK-Vetëvendosje.

“ Këtu u përmenden koalicione të çuditshme, pikërisht nga kolegët e opozitës, prandaj e thashë që për neve nuk jemi deklaruar asnjëherë për vija të kuqe, pikërisht për këtë fakt. Sepse ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe do të ndodhin edhe tash. Dhe do të ndodhin edhe tash siç po shihen. Janë absolutisht të panatyrshme edhe në pikat programore, edhe në qëndrimet kyqe, për çështje nacionale që subjektet opozitare i kanë, dhe tashmë i dijmë të gjithë. Ne absolutisht nuk kemi frikë nga asnjë subjekt politikë. Dhe do të garojmë si subjekt politikë, i cili në sondazhe përkundër kësaj që sot u tha del shumë mirë….Ne do të shohim se si do të sillen gjërat, sepse jemi shumë herët deri në datën finale”, tha Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra nuk la pa komentue edhe takimin në mes kryetarit të LDK’s, Isa Mustafa me atë të VV’s, Albin Kurti.

E quejti të çuditshëm nji koalicion të tillë, derisa simbas saj, para do kohe këto dy parti kanë pasë debat të ashpër, e sot shtrëngojnë duert tue pi kafe.

Në këtë debat, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, nuk e ka përjashtue mundësinë edhe për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, megjithatë tha se nuk kanë vije të kuqe, sepse në të kundërtën deklarata të tilla, siç tha ai, i demanton koha.

Ai pati fjalë të mira për PSD’n, tue nënkuptue kështu, koalicion të mundshëm edhe me këtë parti politike.

“E kemi thënë që në fillim, nuk kemi vija të kuqe, për shkak se na i demanton koha pastaj. Sepse po ndodhin koalicione edhe kanë ndodhur në Kosovë. E elaborova se kemi përafrime me disa nga partitë, me disa jemi në distancë, gjë që është e kuptueshme, por që vija të kuqe nuk kemi, dhe do t’i përmbahemi këtij parimi për shkak se nuk duam ta demantojmë vetën, gjasat janë të vogla, por nuk duam të themi kurrë, se kurrë në politikë është vërtetuar gjithmonë”, ka thanë Isufi.

Shperndaje në: