Rama, marshimi i vetmuar drejt fundit

Armand Shkullaku

 

Kryeministri hipotetik, i qeverisë hipotetike teknike, me siguri që ditën e parë të punës do të çmontonte koshin e basketbollit mbi derën e zyrës dhe do të lyente muret e mbushura me shpërthimet artistike të paraardhësit.

Do të mjaftonte vetëm ky përfytyrim disa sekondësh për t’ia vrarë gjumin e pranverës Edi Ramës. Ai nuk është i përgatitur ta lërë atë zyrë, as tani dhe, po të kishte mundësi, asnjëherë. Rama bën pjesë në kategorinë e liderëve ballkanikë që postin e përjetojnë si të përjetshëm dhe që pushtetin e kanë bosht të ekzistencës së tyre. Pushteti i jep kuptim qënies së tyre, i bën të duken interesantë dhe arrogantë edhe kur nuk kanë arsye të jenë, i bën artistë dhe mendimtarë, i rrethon me adhurues ndonëse në jetën normale nuk kanë miq të vërtetë.

Rama nuk e konsideron zyrën një vend pune, të marrë me qera për katër vjet, por një vendstrehim, të cilin e ka shestuar si një kthinë të përjetshme të delireve të tij. Prandaj ai e ka të vështirë të dalë prej saj, ta lërë, qoftë edhe për dy muaj. Pa të ai ndihet i pambrojtur, i zhveshur nga pushteti dhe i humbur në ekzistencën e tij. Për këtë kategori politikanësh, pushteti nuk është një mjet drejt qëllimit për të ndryshuar vendin, por është kthyer në një qëllim në vetvete. Jashtë tij, ata e kanë të vështirë t’i përgjigjen pyetjes se përse jetojnë.

Ilustrim perfekt i këtij mentaliteti, që aq herë e kemi ndeshur në Shqipëri dhe Ballkan, ishte edhe deklarata e kryeministrit në mbledhjen e grupit të tij parlamentar se me apo pa opozitën, vetëm apo në koalicion, më 18 qershor ai do të shkojë në zgjedhje. Dhe i vetëm, trim në luftë. Sa raste të tilla kanë shënuar në memorien e politikës ballkanike udhëheqës të këtij kallëpi, që gjoja në emër të popullit, të qytetarëve, të reformave, të dekadave që do vinë, të brezave të ardhshëm, të atdheut, të kombit, janë nisur kokëmushkë thjesht drejt interesit të tyre, pushtetit personal. E megjithëse në fund e kanë thyer kokën, e çuditshme se si fara e tyre mbin përsëri.

Edi Rama mund të ishte në të drejtën e tij për ta mbyllur si kryeministër mandatin për të cilin është votuar. Kjo është një normë demokratike në një vend normal. Por qeveria dhe mazhoranca sot, me vetëdije e kanë sjellë vendin në një situatë aspak normale. Jo vetëm kriminalizimi i skajshëm deri në nivelet më të larta, as paratë e drogës dhe milionat e hedhura në medemek koncensione dhe rilindje urbane, por mbi të gjitha arroganca dhe kultivimi i një klime përjashtuese dhe konfliktuale me kundërshtarin, nuk i kanë lënë mundësi tjetër reagimi këtij të fundit.

Një kryeministër i arsyeshëm, në fund të një katërvjeçari, do të duhej më së paku të reflektonte. Deklaratat për marshime vendimtare, pa përfillur krizën politike, drejt zgjedhjeve të 18 qershorit, të cilat do t’i shpëtojnë shqiptarët nga 25 vitet e shkuara dhe do t’i ndriçojnë për 10 vitet e ardhshme, duke shpartalluar armikun e klasës, vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit. Dalja e Edi Ramës nga zyra me kosh basketbolli, nuk është fundi i Shqipërisë, por përfundim llogjik i një sjellje politike sipas parimit se ç’të mbjellësh do të korrësh.

Sot, kryeministri i kërkon përgjegjshmëri opozitës, kur që nga dita e parë e detyrës së tij e deri në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të shumicës, vetëm e ka devalorizuar dhe injoruar atë. E nisi me aktin normativ që nuk përfilli statusin e nënpunësit civil duke i vënë fshesën administratës, e vazhdoi me reformën territoriale të cilën e miratoi me vota të trafikuara pa përfillur ndjeshmëritë e pakicës, e vazhdoi me kapërcimin e frymës konsensuale për reformën në drejtësi, pa përmendur këtu dhjetra ligje e vendime të tjera, nga reforma në arsim e deri tek koncensionet e njëanshme klienteliste.

Dështimet në qeverisje, Rama i shurdhonte me konfliktualitetin dhe gjuhën e urrejtjes, për t’i mbajtur njerëzit nën efektin e emocioneve dashuri- urrejtje, fronti i së mirës dhe i së keqes, në pamundësi për të prodhuar mirëqënie dhe zhvillim ekonomik. Refuzoi të largonte individë me pushtet, të provuar me rekorde kriminale, duke i përdorur si gangsterë kundër opozitës. Përgëzonte ata që godisnin deputetët e pakicës në sallën e Kuvendit dhe tallej me “shqupin” që nuk kishte një lider si ai. Provokonte me emërime të dhjetra njerëzve të dënuar më parë, në pika kyçe si rendi, doganat, etj. Nuk mori asnjëherë në konsideratë akuzat e palës tjetër, qofshin edhe të tepruara, ndërkohë që avionët e drogës i binin mbi krye dhe fushat përballë Surrelit gjelbëronin nga bima që u kthye në simbol të qeverisë së tij. I përqeshi ata që e kritikonin dhe i fërkoi ata që ia mbulonin zullumin që trashej.

Tani, në këtë klimë që me vetmohim e ngriti vetë për çdo ditë, i kërkon opozitës të bëjë fasadën e fasadës së tij. Të marrë pjesë në zgjedhje për t’a kurorëzuar si fitimtar. Në të kundërt, lëshon kushtrimin se zgjedhjet do të mbahen edhe pa opozitën. Mirëpo Shqipëria nuk është një vend normal jo për faj të opozitës. Prandaj në një situatë të tillë, pak përulësi, pse jo dhe ndjesë, do të ishte më mirë se sa kërcënimi me zgjedhje monopartiake.

Një lider që ka përgjegjësinë e drejtimit të vendit do të duhej të tentonte dialogun, jo gjuhën e forcës përballë një opozite, të cilës i ka rrëmbyer gjithçka. Përballë kërkesës për largimin e tij, Rama mund të negocionte shumë lëshime të tjera, që edhe nëse nuk e zgjidhnin krizën, të paktën nuk e thellonin atë. Çfarë të keqe do të kishte për shembull nëse mazhoranca i ofronte opozitës propozimin për presidentin e vendit, që me ndryshimet kushtetuese ka një rol krejtësisht honorifik. Jo se kjo mund të zgjidhte krizën, por do të ishte shenjë e një vullneti të mirë, reflektim për arrogancën dhe etjen e pashembullt për të kapur çdo pushtet. Mirëpo Rama e ka hallin si ta ndajë presidentin me Ilir Metën, ministritë me LSI dhe drejtoritë me Idrizin. Për të nuk ekziston shqetësimi ndaj hapësirave të pakicës.

Prandaj bëri dhe deklaratën se në zgjedhje do të shkojë edhe i vetëm. Ishalla këtë herë e mban fjalën. Për udhëheqës të këtij lloji kjo është rruga e vetme që u ha kokën.

Marrë nga Gazeta Mapo 

Shperndaje në: