Komploti në Mal të Zi, dëshmitari: Rusët më paguen me rrxue qeverinë

Nji dëshmitar kyç në procesin gjyqësor të komplotit për grusht shteti në Malin e Zi pohoi përpara gjykatës se ishte pague nga agjentë të shërbimeve të inteligjencës ruse me organizue rrximin e qeverisë.

Qëllimi i këtyne përpjekjeve, simbas Sasa Sindjelic, ishte të pengohej anëtarësimi i vendit në NATO. Simbas organit të akuzës, Sindjelic asht personi i vetëm që pati kontakt direkt me dy oficerët e shërbimit sekret të Moskës, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të akuzuem si organizatorët e komplotit që duhet të vihej në jetë ditën e zgjedhjeve, 16 Tetor 2016.

Në seancën ndgjimore të transmetueme “live” nga disa televizione malazeze, Sindjelic tregoi se si kishte vendosë kontakte me Shishmakovin e dha detaje mbi takimet e shumta të tyne në Moskë nga viti 2015 deri në atë pasues, si dhe organizimin e logjistikës së grushtit të dështuem të shtetit.

Në njanin prej mesazheve që mori nga rusi pak muej përpara zgjedhjeve thuhej: “Boll. Nuk tolerojnë ma. Në Malin e Zi, autoritetet duhen përmbysë. Djukanovic me krejt bandën e tij”.

Simbas hetuesve, të dhanat e të cilëve kanë rrjedhë në media, Sindjelic ka marrë nga rusët 200 000 euro dhe paret i ndau mandej me pjesën tjetër të pjesëtarëve të grupit të ngarkuem me vendosjen në jetë të puçit. Gjyqi në Podgoricë, i mbajtun nën masa të rrepta sigurie, cilësohet si procesi ma i madh në rajonin e Ballkanit për shkak edhe të implikimit rus në këto ngjarje./Metro

Shperndaje në: