Thaçi e Berisha u pritën nga ministri kanadez, ky ishte diskutimi i tyne (foto)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqnuem nga Ministri i FSK, Rrustem Berisha, kanë takue sot Ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan, i cili asht edhe nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë në Halifax, e me të cilin kanë bisedue për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Kanadasë në fushën e mbrojtjes e sigurisë.

Presidenti Thaçi ka shpreh mirënjohje për mbështetjen që Kanada i ka ofrue Kosovës që dy dekada.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen në ndërtimin e paqes dhe në ndërtimin e shtetit”, u shpreh Presidenti Thaçi.

“Kosova sot është promovuese e dialogut dhe paqes në rajon”, u shpreh  Thaçi dhe shtoi se “shteti i Kosovës asht konsolidue së mbrendshmi dhe vazhdon të konsolidohet në skenën ndërkombëtare”.

Ministri Berisha i FSK’s u shpreh se Kosova dhe Kanada po punojnë për thellimin e bashkëpunimit edhe në sektorin e mbrojtjes e sigurisë tue punue në finalizimin e nji Memorandumi të Bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Kanadasë.

Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, Sajjan, u shpreh se asht për m’u vlerësue promovimi i komunikimit dhe dialogut si mjete për tejkalimin e konfliktit dhe falënderoi Presidentin Thaçi për lidershipin e treguem.

“Promovimi i dialogut dhe paqes ju bajnë shembull për rajon”, u shpreh Ministri Sajjan.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet mirënjohëse për përkrahjen që ka dhanë Kanada për shtetin dhe popullin e Kosovës dhe ftoi për thellim të bashkëpunimit në të gjithë sektorët.

Shperndaje në: