Lajmërohet Bashota: ‘Në vend të falënderimit’, kend e akuzon për humbjen e Klinës

Tashma ish kryetari i Klinës, Sokol Bashota përmes nji postimi në Facebook asht lajmërue dy ditë mbas zgjedhjeve.
Bashota e humbi Klinën mbas 10 vjetësh.
Ai u mposht nga kandidati i AAK’s, Zenun Elezaj.

Përmes Facebook, Bashota ka falenderue votuesit e PDK’s.

Ai po ashtu i ka përmend edhe disa nga projektet që i ka realizue.

 

Postimi i plotë:

NË VEND TË FALËNDERIMIT

Qytetarë të nderuar të Komunës së Klinës,

Unë, bashkëvendësi juaj, Sokol Bashota, lindur dhe rritur në mesin tuaj nga një familje atdhetare që la gjurmë kombëtare në çdo përpjekje të popullit për çlirim nga pushtuesit, që nga gjyshi im Malë Bashota (i shpallur këto ditë “Hero i Kosovës” nga presidenti Hashim Thaçi), i vrarë nga regjimi serb, të cilit për çlirim iu bashkëngjitën rreth tridhjetë familjarë, vazhduar me dëshmorin e kombit, ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nazmi Bashotën, bashkëthemelues i së cilës ushtri isha unë, ju falënderoj për besimin që më keni dhënë në kohën kur isha ministër, në kohën kur isha deputet, edhe për dhjetë vjetët që isha kryetar komune.

Me këtë rast ju falënderoj sërish, disa të tjerëve ua kujtoj pambarimisht, se një pjesë tjetër e qytetarëve, që s’shikonin punët e bëra në qytetin dhe fshatrat e tyre, por dëgjonin fjalët e thata të kundërkandidatit tim që mblodhi rreth vetes disa parti, e që janë më pak se një e katërta e votuesve të Klinës, u dhanë fund investimeve të mëdha në Klinë, atyre të tashme dhe të ardhshme. Me një fjalë, një pjesë e qytetarëve ndaloi projektet që po realizoheshin për interesin e tyre. Ndërkaq, ato që janë realizuar për dhjetë vjet të udhëheqjes sime, e që s’janë pak, mbi 70 milionë euro investime në qytet dhe fshatra të Klinës, ju qytetarë do t’i keni, do t’i shkelni dhe t’i vizitoni për çdo ditë, si: objektin e ri të komunës, shtëpinë e kulturës, palestrën sportive, Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, qendrën për nxjerrjen e dokumenteve personale, objektin e ri për gjykatën, disa zyra vendi, fabrikën e ujit të pijshëm (më të mirën në rajon), sheshin e qytetit (më të bukurin në vend), vendosjen e shtatoreve në rrugë të qytetit, rregullimin e shtretërve të lumenjve, asfaltimin e mbi 250 kilometrave rrugë, trajtimin dhe kanalizimin e ujërave të zeza në shumë fshatra, po ashtu instalimin e shumë ujësjellësve, gjelbërimin e qytetit, ndërtimin e nëntë objekteve të reja shkollore, shumë projekte bujqësore, qendrën rinore e cila është duke u ndërtuar dhe shumë punë të tjera të kushtueshme që ia kanë shtuar pasurinë qytetit tonë.

Gjithë ato mundësi që kisha, gjithë atë respekt që kisha në institucionet qendrore të Republikës së Kosovës të vendosura në Prishtinë, i shfrytëzova për Klinë, për qytetin tim dhe tuajin. Kaq sa munda dhe pata përkrahje nga Qeveria dhe donatorët, kaq realizova dhe bëra të mira në Klinë, të cilat janë të pafundme dhe s’do të jenë kurrë më të mëdha. Prandaj, dyshoj shumë se, me përzgjedhjen që keni bërë në zgjedhjet e ditës së diel, keni bërë një gabim të madh, i cili do t’ju kushtojë shumë juve dhe trashëgimtarëve tuaj, sepse do ta dëmtoni qytetin tonë dhe të ardhmen tuaj. Nëse jo e sotmja, do të dëshmojë e ardhmja se ç’bëtë ju, ç’bëra unë dhe ç’do të bëjë kryetari juaj i ardhshëm gjatë udhëheqjes së Komunës së Klinës. Meqë keni zgjedhur kështu, do të presim derisa të vijë dita e përgjegjësisë dhe e gjykimit, zgjedhjet e reja, e të bëjmë një llogaritje dhe një krahasim punësh mes kryetarësh.

Në këtë garë mes kandidatësh për kryetarë unë kisha anëtarë dhe simpatizantët të vërtetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kisha dhe të tjerë që vetëm dukeshin kështu – përkrahës “të zjarrtë”. Të parëve u jam falënderues për jetë e mot dhe u uroj shëndet e gjithë të mirat. të dytëve u bëj me dije se ne, unë bashkë me të parët, nuk humbëm nga bashkimi i partive të tjera, por nga egoizmi, karrierizmi dhe ambiciet e fshehta tuajat, shkaku i të cilave e dëmtuat partinë në këto zgjedhje, por jo edhe në të ardhmet. Ju që e sabotuat partinë një kohë, më sabotuat edhe mua po atë kohë.

Prandaj, të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të njëmendtë, struktura të ndershme të Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë, duke mos dashur të qëndroj edhe më tutje nën të njëjtën çati me të tillë sabotatorë, nga sot e tutje, deri në zgjedhjet e përgjithshme që ka paralajmëruar Partia Demokratike e Kosovës mbrëmë, e ngrij pozitën e kryetarit të Degës së PDK-së në Klinë dhe u hapë rrugë zgjedhjeve brendapartiake në degë. Por, mos u bëni merak, se do të jem aty, sërish përkrah jush, për t’ju ndihmuar të çliroheni nga sabotatorët e nga karrieristët e për të zgjedhur struktura të reja dhe të shëndosha, të ndershme dhe punonjëse, edhe një udhëheqës të degës që do të dijë ta mbajë të bashkuar Degën e PDK-së në Klinë për fitoren tonë të ardhshme.

Bashkërisht, paçim rrugë të mbarë dhe dalshim faqebardhë!

Me shumë nderime,

Sokol Bashota

Shperndaje në: