Haradinaj: Energjia elektrike parakusht për zhvillimin ekonomik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e 15’të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, në të cilin theksoi përkushtimin e Qeverisë në hartimin e politikave për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike.

 

 

Fjala e Kryeministrit Haradinaj në takimin e 15’të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë:

 

Më lejoni të përshëndes këtë Mbledhje të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, të 15-tën me radhë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kosova si palë Kontraktuese e Komunitetit të Energjisë, është e përkushtuar me të gjitha kapacitetet e veta të ketë një rol sa më aktiv, si në hartimin e politikave dhe masave për integrimin e tregut rajonal të energjisë elektrike, ashtu edhe në zbatimin e vendimeve të Këshillit Ministror dhe organeve tjera në kuadër të Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë.

Agjenda e Kosovës për implementimin e MSA-së është e harmonizuar edhe me agjendën e Komunitetit të Energjisë për sektorin e energjisë dhe siç e kam shprehur edhe në takimet në Bruksel, një nga prioritet kryesore të Qeverise që unë drejtoj është zbatimi në kohë i obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Sfidave aktuale me të cilat ballafaqohet Kosova, duke qenë e kufizuar në menaxhimin e rrjedhave të energjisë në tregun rajonal dhe mos funksionalizimit të linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, duhet t’i gjejmë zgjidhje, me kontributin e të gjithë neve së bashku, dhe besoj se për këtë do ta marrim përkrahjen e të gjithëve.

Përafrimi i direktivave të BE-së me legjislacionin e palëve kontraktuese është një hap i domosdoshëm. Implementimi në praktikë kërkon angazhim shumë herë më të madh. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe jemi te angazhuar maksimalisht, megjithatë edhe më tutje ne kërkojmë mbështetjen tuaj, me theks të veçantë mbështetjen e Komisionit Evropian.

Jemi të vetëdijshëm se funksionalizimi i tregut rajonale të energjisë do të jetë një instrument i fuqishëm për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji aq të nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendeve të Komunitetit të Energjisë.

Suksesi i formimit të tregut të energjisë është parakusht dhe garancë për integrimin edhe të tregjeve tjera në kuadër të “Procesit të Berlinit”.

Sigurisht që për të arritur deri aty na duhet një vullnet edhe më i madh dhe duhet po ashtu që të gjithë të kemi qëllim përfitimet e përbashkëta që sjell tregu i përbashkët, si dhe eliminimin e të gjitha barrierave qe janë vendosur ose mund të vendosen në proces.

Në fund, më lejoni edhe njëherë t’ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë takim shumë të rëndësishëm dhe uroj që të kemi rezultate sa më të mira.

Dëshiroj ta përmbyllë me një lajm që tashmë e dini të gjithë. Kosova ka arritur marrëveshje me një investitor serioz privat për investime në energji, për një termocentral të ri që është 500 Megavat dhe i cili kap vlerën e investimeve 1 miliard e 300 milionë euro dhe që fillon me zbatim nga viti që vjen. Me këtë ne besojmë se do të krijojmë situatë të qëndrueshme energjetike në Kosovë, njëkohësisht avancim në energji të pastër për shkak se teknologjia me të cilën ne prodhojmë energji tani është teknologji e hershme dhe jo miqësore ndaj ambientit.

Ju faleminderit!

Shperndaje në: