Si asht përdorë për synimet e pushteteve industria e naftës në Shqipni

Si është përdorur për synimet e pushteteve industria e naftës. Një vështrim kronologjik dhe krahasimtar për këtë pasuri të madhe kombëtare nga sundimi zogist, te regjimi komunist dhe periudha pas vitit 1990. Cilat janë arsyet që kjo pasuri nënvleftësohet dhe lihet pas dore aktualisht?

Prof.Dr. Fatmir Shehu

Ing.Gjeolog Kadri Rama

Një nga asetet më të rëndësishme që ka ekonomia jonë për fat, është industria e naftës dhe e gazit si dhe rezervat jo të pakta të naftës dhe të gazit që ka nënëtoka jonë. Është vërtetuar shkencërisht edhe kapaciteti naftë-gas mbajtës i territorit shqiptar që është realtivisht i madh. Fakti që kjo industri në vëndin tonë ka një një histori prej një shekulli, tregon se ajo ka qënë një industri vitale ashtu siç është deri më sot në të tërë botën. Është fakt se as një shtet në botë nuk heq dorë nga zhvillimi i industrisë së naftës, aq më shumë kur e disponon këtë pasuri siç e disponojmë ne.

Politika me naftën

Në bilancin energjitik të botës kjo industri zë 60% të nevojave për energji. Në vendin tonë ajo zë rreth 40% , shifër kjo që tregon rëndësinë e kësaj dege të ekonomisë. Industria e naftës ka lozur role të ndryshme në ekonominë shqiptare në funksion të rregjimeve dhe politikave që ka janë ndjekur në vendin tonë. Kështu gjatë rregjimit të Mbretërisë, si kërkimet dhe shfryrëzimi i naftës, u lanë në dorë të shoqërive të huaja, kryesisht italiane.

Ndërsa me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, industria e naftës dhe e gazit u shtetëzua plotësisht duke u bërë tërësisht pronë publike.

Deri në vitin 1947 në industrinë tonë të naftës kishin dorë dhe jugosllavët që deshnin ta përvetësonin këtë pasuri të vyer të vendit. Mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, qeveria komuniste i dha kësaj industrie një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit që ishte tërësisht i rrënuar nga lufta dhe me një prapambetje të theksuar ekonomike dhe sociale. Gjatë kësaj kohe u realizua një organizim total i industrisë së naftës dhe gazit duke e futur këtë industri në një cikël të mbyllur teknik dhe teknologjik dhe gjithmonë e administruar dhe subvencionuar financiarisht nga shteti.

Një gjë e tillë zgjati në një periudhë relativisht të gjatë kohe, nga çlirimi i vendit e deri në vitin 1990, kohë kur në Shqipëri u vendos një sistem pluralist dhe ekonomia e centralizuar u zëvendësua me atë të tregut të lirë.

Mirëpo, pas vitit 1990, industria e naftës, si gjithë industritë e tjera të vendit, pësoi një mëtamorfozë sipas konceptit: “të minimizohet vlera nëpërmjet shkatërrimit që të shitet (blihet) lirë”, pa një strategji të qartë të zhvillimit si në fushën e kërkimeve, ashtu dhe në atë të shfrytëzimit të rezervave të gjetura që nuk ishin të pakta. Të njëjtin fat patën dhe ndërmarjet e prapavijës si uzinat, shërbimet, etj.

Gjatë kësaj kohe, kompania shtetërore që ngeli nga sistemi socialist Albpetrol sh.a me që trashëgoi një ekspertizë të nivelit të lartë tekniko-shkencor (dy institute shkencore dhe shumë byro, laboratore dhe ekipe teknologjike) si dhe një numër të madhe ndërmarrjesh (rreth 45) dhe punonjësish (rreth 19 mijë) dora-dorës u katandis deri më sot, në një mikro ndërmarrje, me një prodhim krejt minimal të naftës, pa asnjë rentabilitet vetëfinancues (nuk ka ushqyer punonjësit e saj dhe i ka shkurtuar vazhdimisht) pa le të bëjë investime në fushat e zhvillimit dhe të ishte kontributor për ekonominë në tërësi.

E themi këtë se kompanitë shtetërore të naftës në mbarë botën mbajnë një peshë të madhe të halleve të ekonomisë së vendit. Meqë është rasti mund të themi se pothuaj gjithë peshën e luftës që bëri Kroacia me Serbinë e Millosheviçit po thuaj e suportoi kompania e Naftës INA Naftaplinë. Industria jonë naftës, fatkeqësisht deri në ditët e sotme ka ruajtur vetëm emrin si të tillë, pasi aktualisht është një ndërmarje pa ndonjë mundësi zhvillimi si në tregun e brendshëm pa le në tregun e jashtëm.

Gjatë kësaj periudhe, pothuaj 30-vjeçare, nga të gjitha qeveritë tona të kësaj periudhe është ndjekur strategjia e dhënies me koncesion të aktiviteteve në industrinë e naftës – e njëta paradigmë që është praktikuar edhe gjatë rregjimit të Zogut.

Shumë kompani të huaja koncesionare në fushën e shfrytëzimit të rezervave të zbuluara, kanë ardhur, kanë fituar (edhe kanë humbur) dhe kanë ikur duke e lënë industrinë tonë të naftës dhe të gazit në një gjendje pothuaj të mjerueshme – pa qëndrushmëri zhvillimi dhe pa ndonjë perspektivë të qartë.

Po kështu, në fushën e zbulimit të rezervave të reja të naftës dhe të gazit kanë ardhur e kanë ikur shumë kompani që kanë bërë kërkime në tokë dhe në det dhe deri tani nuk ka ndonjë raportim zyrtar konkret në rritjen e rezervave të naftës dhe të gazit.

Me sa dimë, nuk ka ndonjë shtesë rezervash nafte dhe gazi mbi atë bilanc të trashëguar që ishte i dokumentuar zyrtarisht në kohën e ndryshimit të sistemeve plitike. Megjithatë, bilanci i rezervave industriale dhe gjeologjike që u trashëgua nga sistemi i mëparshëm politik është goxha i madh dhe shumë atraktiv për të vazhduar investimet për rritjen e shkallës së kategorive të rezervave të zbuluara si dhe në rritjen e tempeve dhe të nivelit të prodhimit të naftës dhe gazit në Shqipëri.

Shifra dhe fakte

Deri më sot shifra rekord e prodhimit të naftës ka qënë ajo e vitit 1974 ku u arrit një prodhim vjetor i naftës bruto në një nivel 2.4 milionë tonë.

Nga ecuria e prodhimit të naftës në Shqipëri duket qartë se prodhimi i naftës me fluktuacione të vogla duke filluar nga viti 1957, vit që u zbulua vëndburimi i Marinzës që bashkë me Patosin, rezulton që të jetë një nga më të mëdhenjtë në Europë, ka pasur një trend rritjeje deri në vitin 1974-1975, vite ku arriti prodhimin maksimal rekord që deri më sot nuk është tejkaluar.

Më tej, mbas vitit 1975, trendi i ecurisë së industrisë së naftës për arsyet që dihen, ka qenë në rënie, me një deklinitet jo shume intensiv, deri në vitin e ndryshimeve të sistemit 1990.

Nga viti 1990 e më këtej, deri në vitin 2000, vërehet një rënie me deklinitet të theksuar e prodhimit të naftës dhe të gazit. Në këtë periudhë, në prodhimin e naftës punuan disa kompani të vogla koncesionare që faktikisht, për shkak të investimeve jo shumë të mëdha dhe të përdorimit të teknologjive jo potenciale që përdorën, nuk arritën të siguronin ndonjë nivel prodhimi të shquar.

Me ardhjen dhe fillimin e punës së Kompanisë koncesionare kanadeze Bankers Petroleum në vitin 2004, vërehet një rritje graduale e prodhimit të naftës nga kjo kompani dhe në total prodhimi i naftës në vënd në vitin 2014 u rrit deri sa arriti një shifër prej 1,368,328.64 tonë. Në këtë shifër kontributori më i madh është Bankers Petroleum ndërsa kompanitë e tjera koncesionare që kanë punuar në vëndburimet e tjera të Shqipërisë kanë një pjesë shumë të vogël të kontributit.

Në fakt kjo kompani nuk bëri gjë tjetër veç se aplikoi një teknologji që specialistët tanë e kishin propozuar me kohë si dhe ishte shpuar pusi i parë horizontal në formacionet karbonatike në vëndburimin e naftës Ballsh – pusi Ballshi 135/H.

Fakti që specialistët shqiptarë e kishin këtë ekspertizë e tregoi dhe shpimi u dhjetë puseve horizontalë në vëndburimin e Visokës, i mbeshtetur plotësisht si projektim dhe në operacione shpimi nga specialistët shqiptarë dhe nga pajisje të kompanive shqiptare, një prej të cilave dhe më e kompletuara është Albdrilling sh.a e grupit të kompanive BOLV-OIL sh.a .

Kjo tregoi se marrja e kompanive kanadeze dhe kroate të shpimit dhe të shërbimit, për të realizuar projektime dhe shpime në vëndburimin e Patos-Marinzës ka qenë i pa studiuar, gjë që ka rritur mjaft shpenzimet në shfrytëzimin e rezervave të këtij vendburimi gjigand. Fatkeqësia është se sondat e vendit ku futet dhe ajo e Albdrilling sh.a janë pa punë.

Edhe kompania shtetërore Albpetrol nga viti 2004 e këndej ka pasur një prodhim fare të vogël me rënie të theksuar, ku vrehet tendenca për të minimizuar aktivitetin, duke i dhënë vendburimet e naftës kompanive të tjera.

Përvoja 100 vjeçare

Nga gjithë kjo eksperiencë njëqindvjeçare e industrisë tonë të naftës rezulton se: Vendi ynë ka prodhuar një sasi të përgjithshme nafte prej rreth 50 milionë tonë, dhe se ka arritur të aplikojë gjithë metodat që njihen aktualisht në botë, të nevojshme për kërkimet e naftës dhe gazit (si metodat e kompleksit gjeologo-gjeofizik), duke zbuluar rreth 6 vendburime nafte, tre gazi dhe dy gazokondesati si në formacionet ranore dhe karbonatike; ka arritur të shpojë puse të thellë me thellësi maksimale deri në 6700 m në kushte shumë të vështira gjeologo-teknike dhe teknologjike, ka shfryrëzuar nafta me viskozitet super të lartë, ka aplikuar metodat e dyta dhe intesifikuese në të gjithë spektrin që njeh teknologjia bashkëkohore e shfrytëzimit të naftave si injektimin e ujit dhe të gazit, injektimin e lëndëve tensioaktive, injektimin e avullit, metodën e djegies nëntokësore (metodë kjo që mund të përdoret fare mirë në shfrytëzimin e shtresave qymyrmbajtëse dhe shtresave bituminoze), metodat e injektimit të holluesit, përdorimin e pompave me burmë, pompave me hap të gjatë, ngrohjen fundore etj etj.

Po kështu mjaft arritje u shënuan dhe në fushën e shërbimeve të prapavijës, ku përmblidhet një spektër i gjërë punimesh që nga remonti (madje dhe i prodhimeve të reja) i pajisjeve dhe makinerive, gjeofizika kantjerale, proceset e çimentimit dhe intesifikuese, ndërtim, transport, rrugë dhe bazamente etj.

Nga kjo pikëpamje e themi me përgjegjësi se specialistët shqiptarë gjatë një periudhe prej 100 vjeçare, që ka aktivitet industria e naftës, kanë grumbulluar një eksperiencë mjaft të madhe në të gjithë ciklin e kësaj industrie, duke filluar që nga studimet, përgjithësimet dhe projektimet gjeologjike me koeficent suksesi të kënaqshëm, në teknologjinë e shpimit të puseve të thellë e shumë të thellë në kushte shumë të komplikuara gjeologo-teknike, në teknologjinë e përpunimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit si në gëlqeror dhe në ranor, si dhe në teknologjinë e nxjerrjes, kondicionimit, trasportit dhe përpunimit të naftës dhe gazit.

Fakti që industria e naftës në përiudhën 1960 deri në 1990 u drejtua plotësisht me sukses në të gjitha fushat e aktivitetit të saj nga specialistët tanë si dhe sigurojë prodhimin shumë herë më të madh në kuadrin e prodhimit total që është realizuar deri më sot, tregon qartë se specialistët shqiptarë janë plotësisht në gjendje që ta menexhojnë me kompetencë industrinë tonë të naftës dhe të gazit si dhe kanë kapacitete të dalin me sukses dhe në tregun e jashtëm të kësaj industrie.

Specialistët tanë

Ky konkluzion shumë i rëndësishëm duhej të ishte pasur parasysh që në momentin që gjithë industria jonë e naftës kaloi në një sistem tjetër menaxhimi mbas vitit 1990. Për këtë janë dhënë dhe mendime dhe propozime konkrete në masmedje dhe në forma të tjera gjatë gjithë kësaj kohe nga specialitët tanë mjaft kompetentë të kësaj industrie komplekse. Përgjegjësinë e mbajne organet e ekzekutimit të çdo periudhe mbas vitit 1990, që nuk janë thelluar në këto vrejtje dhe mendime nga ekspertët tanë të kësaj industrie me vlera të mëdha për ekonominë kombëtare.

Tanimë është vërtetuar plotësisht që specialistët shqiptarë kanë qënë dhe janë të aftë që të marrin në dorë gjithë ciklin e punimeve që përmbledh industria e naftës dhe e gazit. Në se bëhet pyetja: a janë në gjendje specialsitët shqiptar e naftës dhe gazit që të ndërmarin projekte dhe të udhëqin operacione të ndryshme në industrinë e naftës?

Kjo pyetje pa as më të voglin mëdyshje, është vërtetuar nga koha dhe ka vetëm një përgjigje pozitive dhe konkretisht: specialistët shqiptarë janë plotësisht të aftë që të realizojnë studime, përgjithësime, projekte dhe aplikime në të gjithë ciklin e punimeve që kërkon industria e naftës duke punuar jo vetëm në vend por dhe në tregun botëror të industrisë së naftës dhe gazit.

Atëhere del pyetja: Pse nuk aktivizohet ky potencial pasurie dhe ky aset intelektual që ka Shqipëria në industrinë e naftës, por po lihet që dora dorës të degradojë dhe në vend të tij të vijnë pa qenë e nevojshme dhe pa asnjë leverdi për ekonominë tonë, ekspertë dhe pajisje të huaja si kanë ardhur këto tre dekadat e fundit? Është e pafalshme që një sasi jo e vogël e valutës gjatë kësaj përiudhe, nëpërmjet kompanive koncesionare, ka fluturuar jashtë thesarit shqiptar.

Pikëpyetje për kompanitë e huaja

Është thënë disa herë që në Shqipëri nuk kish pse të kërkohej ardhja e kompanive të huaja, sidomos në fushën e shfrytëzimit të rezervave të gjetura, të cilat janë si bakllavaja në tavolinë që në mënyrë figurative, vetëm lugën kërkon.

Këtë punë mund ta bënin fare mirë qeveritë shqiptare, në se merreshin masat që mund të merreshin. Mund të ishte e nevojshme ardhja e kompanive të huaja për kërkimet dhe gjetjen e rezervave të reja të naftës dhe të gazit që nuk mungojnë, sepse këto operacion e kanë një risk relativisht më të lartë.

Megjithatë, mund të thuhet se edhe në fushën e kërkimit dhe gjetjes së rezervave të reja të naftës dhe gazit nuk ka pasur pothuaj as një rezultat për përmirësimin e bilancit kombëtar të rezervave , me gjithë shpenzimet e bëra që rëndojnë dhe buxhetin e sotëm apo të ardhshëm të vendit.

Praktika që është ndjekur deri tani si në fushën e nxjerrjes së naftës nga vendburimet e zbuluara dhe në fushën e kërkimeve në det dhe në tokë, tregon se kjo industri nuk ka pasur ritmet e zhvillimit të kohës kur kjo industri në të gjithë ciklin e saj ka qenë në dorë të specialistëve shqiptarë.

Mandje këtu do nënvizuar më forcë që kompanitë e huaja që kanë ardhur këtu, nuk kanë pasur ndonjë obligim kontraktual, si palë pronare që jemi, për të marrë në konsideratë eksperiencën e gjatë që kanë pasur specialsitët shqiptarë të naftës të të gjitha fushave. Një gabim i tillë e tregon fakti se rezultatet e arrira nga specialitët shqiptarë, jo vetëm nuk janë tejkalur por janë shumë mbrapa arritjeve të tyre. Ky është fakt i pamohueshëm.

Deri më sot është përdorur si alibi për mosfutjen në aktivitet të ekspertizës komplekse që kanë specialsitët shqiptarë në fushën e industrisë së naftës fakti që kompanitë e huaja që kanë ardhur në Shqipëri janë mbështetur pothuaj totalisht në ekspertizën e specialistëve të tyre, të cilën ata e konsiderojnë të nivelit të lartë. Po të shohësh rezultatet konkrete, mund të thuhet se kompanitë e huaja që kanë punuar në Shqipëri në industrinë e naftës, nuk kanë siguruar tregues prodhimi më të larta se ato që kanë siguruar specialistët shqiptarë në secilin vëndburim ekzistent.

Një gjë e tillë vërehet se nga viti 1990 e këndej, me gjithë harxhimet e mëdha që janë bërë në fushën e kërkimeve (rreth 400 milionë dollarë) nuk janë zbuluar po thuajse fare rezerva të reja nafte dhe gazi. Edhe rezervat që informohen se janë zbuluar në zonën e Beratit po vonohen shumë në fazën e vlerësimit dhe të shfrytëzimit të tyre.

Ne mendojmë në bazë të eksperiencës që kemi, që në Shqipëri janë gati për t’u zbuluar edhe 3-4 vëndburime me thellësi mesatare 3500 m, të cilat i kemi lokalizuar.

Po ashtu edhe treguesit teknikë, teknologjikë dhe ekonomiko-financiarë të operacioneve të kryera në shpimin e puseve si dhe në manaxhimin e vendburimeve kanë qenë shumë më larg arritjeve të kohëve kur drejtoheshin nga specialistët shqiptarë.

Po të shihet aktiviteti i operacioneve të shpimit që janë kryer nga kompanitë e huaja, psh në vendburimin e Marinzës, rezulton se është më i kostueshëm; ndërsa të puseve të thellë të kërkimit janë shumë herë më të kostueshëm dhe të shoqëruar me shumë avari dhe komplikacione e deri në mos arritjne e objektivit të projektuar (pusi Delvina-34) etj.(Dita)

Shperndaje në: