Ky asht qëndrimi i Vetëvendosjes për shfuqizimin e Speciales

Lëvizja Vetëvendosje deri tash ende nuk ka dhanë ndonji qëndrim të qartë se si kanë me veprue, nëse ka përsëri iniciativë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Zyrtarë të kësaj partie gjatë ditës së djeshme kanë zhvillue takime me ambasadorët e Britanisë dhe të Francës.

Siç njofton VV, në takime asht diskutue për situatën politike në Kosovë, e sidomos për tentativat për Gjykatën Speciale.

“Dje pasdite, në selinë qendrore në Prishtinë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kandidati për kryetar, Albin Kurti, me nënkryetaren, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku priti ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z.Ruairí O’Connell, kurse me kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, priti ambasadorin e Francës, z. Didier Chabert. Në këto takime u diskutua për situatën politike në Kosovë, me theks të veçantë, për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës. Të dy ambasadorët shprehën brengosjen e tyre të thellë për këtë mundësi”, thuhet në komunikatën e VV’s.

Kjo parti edhe më tutje mbetet pa vendim zyrtar sa i përket kësaj çashtje.

Në njoftim asht thanë se Vetëvendosja do t’i përcjell të gjitha zhvillimet, tue marrë simbas tyne vendimin e duhun.

“Kurti, Mulhaxha-Kollçaku dhe Konjufca përsëritën qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbi padrejtësinë dhe dëmin që shkakton Gjykata Speciale por edhe për mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të kësaj iniciative. Sidoqoftë, iniciativa tash ka ndryshuar formën dhe shpejtësinë pasi që ajo do të vie si Projekt-Ligj i qeverisë e jo më si nismë e deputetëve në Kuvend. Përfaqësuesit e Lëvizjes thanë që VETËVENDOSJE! do ta përcjell me shumë vëmendje këtë proces dhe se Kryesia me Grupin Parlamentar do t’i diskutojnë të gjitha elementet për ta marrë vendimin e duhur në kohën e duhur”, thuhet në njoftim.

Të dy ambasadorët treguen që gjatë muejit Kallnor nuk do të marrin pushime dhe do të qëndrojnë tanë kohën në Kosovë.

Ndryshe VV gjithmonë e ka kundërshtue shfuqizimin e Speciales.

Por ishte pikërisht e njajta parti që në momentin kur u kërkue seancë e jashtëzakonshme për me shfuqiziue këtë gjykatë, nuk mori pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Ata u arsyetuen se ajo iniciativë ishte personale e koalicionit qeverisës.

 

Shperndaje në: