Me qenë shqiptar – çfarë merite shkencore asht?

auto_artan_fuga_ok1488627768

Anetari i Akademise se Shkencave te Shqipnise, Artan Fuga, i ka parashtu grupit të punës për reformimin e Akademisë 19 pika, ku kundërshton platformën e paraqitun prej tyne.

 

 

ARTAN FUGA

1. Sipas mendimit tim, të gjitha kërkesat që mendohen t’u vihen kandidatëve të rinj për anëtarësim në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, duhet të kërkohen të zbatohen edhe për anëtarët e rregullt ekzistues. Dokumenti parashtron kërkesa për plotësim kriteresh nga kandidatët e rinj, por nuk kërkon që po ato kritere të përmbushin edhe nga akademikët ekzistues. Pra, ka vend që të kalojnë në filtër edhe veprimtaria shkencore e ekzistuesve.

2. Dokumenti i parashtruar për diskutim e sheh akademikun me veprimtari si ajo e profesorit, por me ndryshime vetëm sasiore, flitet për më shumë botime, më shumë artikuj, më shumë kumtesa etj. Ky është defekti sepse janë parë kriteret e pranimit të shkëputura nga roli i ri që duhet të luajë Akademia e Shkencave, për të mos qenë thjesht një institut kërkimor i ndërtuar keq, si konglomerat kërkuesish, që vijnë nga fusha pa lidhje me njëra-tjetrën.

3. Nuk duhet parashikuar vetëm që kandidati për akademik t’u nënshtrohet kërkesave të ligjit për integritetin e figurës së vet, pra, në lidhje me pastërtinë e tij si edhe të provojë mosimplikimin e tij në veprimtarinë e organeve të sigurimit të shtetit, por kjo të kërkohet edhe për anëtarët ekzistues. Nga ana tjetër, të formulohet qartë dhe prerë që bashkëpunimi me ato organe është i papajtueshëm me statusin e akademikut.

4. Kam mendimin se me kriteret që kërkohen për veprimtarinë shkencore të një kandidati për akademik, më shumë matet “fuqia komunikative” e kandidatit sesa niveli i tij i kërkimit shkencor. Tjetër është komunikimi i shkencës dhe tjetër është kërkimi shkencor. Këto dy koncepte janë ngatërruar me njeri-tjetrin. Kjo duket qysh në formulimin e pikës 1.3., ku në mënyrë të gabuar cungohet koncepti i akademikut duke theksuar se ai përmblidhet te: “Të ketë veprimtari kërkimore shkencore origjinale dhe të përfaqësojë shkallën më të lartë cilësore në fushën…”

5. Kjo është e pamjaftueshme sepse e barazon akademikun thjesht me një profesor të shquar, i cili edhe ai duhet të ketë veprimtari kërkimore shkencore origjinale, dhe nuk tregohet në dokumentin e paraqitur se cilat duhet të jenë karakteristikat specifike të veprimtarisë, ku dallohet profili i një akademiku. Akademiku i ka plotësuar kërkesat për botime jashtë vendit, për citime etj., që kur është bërë profesor. Si akademik, ai duhet të orientohet kryesisht drejt drejtimit të kërkimit- shkencor dhe kontributit jo si doktor, as si profesor, as si kërkues i thjeshtë shkencor, por si drejtues, strateg, orientues i kërkimit shkencor. Këtu duhen përpunuar kriteret matës.

6. Është lënë pa përcaktuar numri i akademikëve, që përbën një element thelbësor për sa u përket pranimeve të reja. Mendoj që numri i përgjithshëm maksimal i anëtarëve të Asamblesë të mos kalojë më shumë se 30 vetë.

7. Është lënë pa prekur se sa zgjat qenia anëtar i akademisë. Akademik të përjetshëm nuk mund të ketë sepse asgjë tokësore nuk është e përjetshme.

8. Ka kritere sasiore për numrin e artikujve, veprave, citimeve, që janë arbitrare dhe të paargumentuara. Theksohet, për shembull, që kandidati duhet të ketë 10 vjet profesor. Kriteri kohor është krejt artificial dhe organicist. Ka baza përjashtimi social dhe privilegjesh për shkak të moshës, të cilat janë antikushtetuese. Kush kap parametrat, të cilat duan sigurisht kohë për t’u arritur, mund të kandidojë. Anëtarësimi në Akademinë e Shkencave nuk ka vend të jetë i kondicionuar nga mosha. Po kështu, sikurse gjithkush tjetër, edhe akademiku del në pension sipas ligjeve në fuqi. Dalja në pension në agjencinë ku është integruar me kohë të plotë ose të pjesshme pune, duhet të sjellë edhe daljen në pension si akademik. Titulli “akademik” ruhet, pavarësisht moshës dhe çel të drejta për pension sipas ligjeve në fuqi dhe trajtohen nga shërbimet publike të specializuara për këto praktika.

9. Dokumenti i propozuar parashikon se kandidati për akademik duhet të ketë ose nënshtetësi shqiptare, ose kombësi shqiptare, ose me origjinë shqiptare. Ky formulim është krejt i gabuar. Pa u zgjatur se kombësia dhe origjina nuk janë terma juridike dhe nuk përbëjnë dot mekanizma privues nga të drejta qytetare për çdo kandidat, duhet theksuar se kjo do të na çonte në pozicione nacionaliste, të përjashtimit mbi baza etnike, si edhe në formulime me frymë- zime nacionaliste. Akademia e Shkencave në parim duhet të jetë e hapur për të gjitha etnitë, kombësitë, etj. Ky frymëzim nacionalist duket edhe kur parashikohet se kush mund të jetë akademik i jashtëm, ku përcaktohet se duhet të ketë shtetësi, kombësi ose origjinë shqiptare, por jo vetëm, kaq, shtohet edhe se duhet të jetë nga “hapësira historike – kulturore shqiptare”. Unë nuk di që shteti shqiptar, e drejta shqiptare ose ndërkombëtare ta ketë definuar një formulim të tillë. Çfarë lidhje ka vendbanimi me kontributet e një akademiku në këtë rast??? Të jesh shqiptar – çfarë merite shkencore është?

10. Është arbitrar dhe krejt i papërcaktuar formulimi, ku thuhet se në momentin e kandidimit, dikush nuk duhet të jetë në poste të administratës ose të partive politike. Nuk ka asnjë argumentim se përse kjo ndodh vetëm në çastin e kandidimit dhe nuk shtrihet edhe për akademikë, që pasi janë bërë akademikë, vendosin sipas zgjedhjes së tyre të marrin poste si më lart. Unë mendoj që për ta mbrojtur Akademinë e Shkencave nga politizimi, duhet shtrirë papajtueshmëria edhe kur akademiku tanimë është zgjedhur. Sepse teorikisht, dikush mund të heqë dorë dy muaj nga posti politik, sa për të hyrë në akademi dhe pastaj ta rimarri atë. Mendoj se formulimi duhet të jetë që akademiku nuk mund të jetë njëkohësisht, kryetar partie politike ose anëtar i forumeve qendrore të saj, ministër ose zëvendësministër, shef kabineti ose këshilltar kabineti, drejtor i përgjithshëm ose drejtor në ministri, si edhe deputet, anëtar Këshillash Bashkiake, si edhe anëtar bordi i agjencive, që janë objekt rregullimesh normative nga ana e Kushtetutës së Shqipërisë. Kështu përcaktohen qartë se në çfarë nivelesh nuk mund të akumulohen mandatet.

11. Duhet shtuar që anëtari i akademisë ose kandidati për anëtar akademie, nuk mund të jetë i punësuar në administratën e Akademisë së Shkencave. Pra, nuk mund të jetë edhe akademik, edhe punonjës i administratës së Akademisë të Shkencave. Në kryesi, në seksione, sigurisht akademikët do të kenë poste drejtuese, por pa qenë të paguar si funksionarë administrativë. E para, kjo do të largojë konfliktin e interesit, që e ka gërryer në vite Akademinë e Shkencave. E dyta, kjo do të pengojë që anëtarët e akademisë, që janë edhe punonjës administrate, të influencojnë Asamblenë. E treta, sepse duke kërkuar që anëtari i akademisë të jetë i integruar në njësi kërkimore dhe shkencore si edhe në universitete, ai vetiu nuk mund të dypunësohet edhe në administratën e akademisë.

12. Patjetër, akademiku duhet të jetë në marrëdhënie pune. Por formulimi i dokumentit të parashtruar, që thekson se kandidati duhet të jetë në marrëdhënie pune me kohë të plotë ose të pjesshme në një universitet ose qendër kërkimore dhe shkencore, është shumë i mangët. Pse? E para, sepse lejon që ndokush, edhe duke pasur një kontratë për të zhvilluar dy orë seminare javore në një universitet të vogël privat, të pretendojë konkurrimin. E dyta, sepse qenia e integruar në sistemin kërkimor shkencor nuk duhet të kapë vetëm kandidatët, por edhe vetë akademikët. E treta, sepse mund të ketë individë edhe në sektorin e KërkimZhvillimit të sipërmarrjeve private, kërkues të zotët, që duhen lejuar të kandidojnë. Këta mund të jenë edhe jashtë vendit. Ta zëmë, dikë që punon në inovacion teknologjik te “Benzi” ose te “Total”, ose te “Apple”, akademia jonë, sipas dokumentit të propozuar, nuk pranon ta kandidojë. Po kështu, mund të jenë akademikë edhe mjekë në spitale të huaja, që kanë kontribute shkencore, inxhinierë, profesorë universitetesh, etj. Për akademikun, ne nuk na duhet thjesht punësimi. Punësimi po se po, por edhe të certifikojë që me kërkimin e vet shkencor, është pjesë e kërkimit në një institucion, paguhet ose financohet për veprimtarinë e tij kërkimore shkencore, ka platformë kërkimi shkencor, që pranohet nga platforma strategjike e kërkimit shkencor të akademisë dhe bën pjesë në prioritetet e saj. Kjo të kërkohet të provohet çdo vit, nga të gjithë akademikët.

13. Në dokumentin e paraqitur ka një kuptim shumë të cunguar dhe simplist të gjinive të kërkimit shkencor, që merren në konsideratë. Po ashtu, sipas dokumentit të paraqitur, cilësia e kërkimit shkencor e kandidatëve matet vetëm në mënyrë sasiore me numra artikujsh ose paraqitjesh në konferenca të botuara. Ndërkaq, merren në konsideratë vetëm revista ose botime të huaja. Matet fuqia divulguese dhe botuese e kandidatëve dhe akademikëve. Vlerësimi i rezultateve të kërkimit shkencor nuk bëhet nga institucionet shkencore dhe komuniteti shkencor, por supozohet të udhëhiqet nga vija editoriale e redaksive të revistave dhe shtëpive botuese. Sigurisht, këto të fundit janë shumë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë aspak. Orientimi i vlerësimit të kërkimit shkencor vetëm nga kriteret e agjencive botuese është i gabuar. Për sa u përket gjinive të kërkimit shkencor, janë braktisur në dokument të tilla, që kontribuojnë direkt në zhvillimin e vendit. Pa to, ne kemi pa fund doktorë, profesorë, akademikë, por jo rezultate të zbatueshme shkencore.

14. Ky kuptim i kërkimit shkencor është i gabuar. Ai ka pasoja të rënda sepse i shtyn kërkuesit vetëm drejt botimeve në revista të huaja, duke gjurmuar citimet, i bën kërkues citimesh, si edhe i shtyn të braktisin gjithç- ka që ka të bëjë me kërkimin në Shqipëri dhe arritjen e rezultateve të aplikueshme në terrenin e shoqërisë shqiptare. Kjo metodë bën që në vend, të matet cilësia dhe dobia e kërkimit shkencor. Çfarë mund të jenë si gjini shkencore të tjera veç monografisë, artikullit dhe kumtesës shkencore?

a. Patenta të rëndësishme teknologjike

b. Ekspertiza të rëndësishme shkencore të vlerësuara nga agjenci shkencore

c. Përkthime tekstesh ose veprash madhore të shkencave fondamentale të huaja

d. Konceptime dhe dizajnime veprash madhore të infrastrukturave prodhuese

e. Drejtim projektesh madhore shkencore dhe kërkimore

f. Përmirësime strukturore cilësore teknologjike ose në fusha të tjera

g. Drejtim pune kërkimore në formën e punimeve doktorale etj.

h. Koordinim dhe drejtim i botimeve me punimeve shkencore kolektive

i. Drejtim dhe koordinim revistash shkencore me borde ndërkombëtare

j. Tekste universitare origjinale, në fusha fondamentale të shkencës

15. Dokumenti pothuajse nuk sjell asgjë të re në thelb, lidhur me procedurat e pranimit të anëtarëve të rinj në Akademinë e Shkencave. Pikërisht këtu, ku ka qenë “thembra e Akilit”, dhe pikërisht aty është abuzuar.

16. Për sa më sipër, theksoj se ndarja në akademikë dhe akademikë të asoociuar mbetet e paargumentuar dhe e palegjitimuar. Aq më tepër, që deri më sot, nën presione elektoraliste, nuk ka më asnjë dallim midis këtyre dy statuseve. Çfarë kuptimi ka për të qenë akademik i asoociuar? Mendoj që Akademia e Shkencave të ketë vetëm akademikë, ta zëmë 30 anëtarë dhe kaq.

17. Akademiku duhet të jetë një figurë përfaqësuese e komunitetit të shkencëtarëve të fushës së tij. Për këtë është absolutisht e gabuar që thjesht të kërkohet një rekomandim ose mbështetje nga senati apo këshillat shkencore. Senatet e universiteteve nuk e kanë fare këtë tagër. Edhe këshillat shkencore po ashtu, është e rrezikshme dhe e gabuar të marrin këtë rol. Është akademia ajo që gjatë procedurave të pranimit ose konkurrimit, duhet të organizojë marrjen e mendimit për punimet dhe veprimtarinë shkencore të kandidatit. Në vend që seksionet të konsiderohen si tani, vetëm instanca konsultative për përzgjedhjen e kandidatëve, sikurse konfirmon dokumenti i paraqitur, në vend që të kemi një votim thjesht pa debat në Asamble, në vend të vazhdohet me votimin në zarfe të ardhura nga jashtë, këto praktika duhen ndryshuar kokë e këmbë. Ka vend që para votimit, në Asamble të bëhen procedura të fuqishme në seksione dhe votimit me fuqi seleksionuese në seksione (po ose kundër kandidimit të mëtejshëm), po para votimit në Asamble, të ngrihet një juri me dhjetë anëtarë, ku tre të katërtat të jenë specialistë të jashtëm nga akademia, shkencëtarë në fushën përkatëse të çdo kandidati, që të vlerësojnë, votojnë. Vota e tyre të jetë skualifikuese ose pranuese për kandidim. Po qe se juria dhe seksioni kanë të njëjtin mendim për kandidatin, mendimi i tyre është përfundimtar. Nëse vendimet e seksionit ose jurisë janë kontradiktore, atëherë është Asambleja që merr vendimin përfundimtar.

18. Lidhja e kandidimit me hapjen e fushave të reja ka qenë shpeshherë objekt trafiku influencash dhe presionesh të forta e praktikash të papranueshme. Gjithashtu, shpesh fushat e hapura nuk përkojnë me profilet. Praktikat e deritanishme kanë sjellë që ndonjëherë të hapet fusha sipas profilit të kandidatëve, të parashikuar më parë nga kryesia. Propozoj që Asambleja të ketë vetëm disa fusha të gjera dhe pranimet të jenë sipas shpërndarjes në to. Të mos lidhet hapja e vendeve për akademikë me hapjen e fushave të reja. Por shpërndarja e drejtë nuk do të thotë numër i barabartë pjesëtarësh në to.

Fushat që propozoj janë:

– Shkencat shoqërore dhe të administrimit

– Shkencat humane dhe ato mbi krijimtarinë artistike

– Shkencat teknologjike dhe inovacioni teknik

– Shkencat natyrore dhe matematike

– Shkencat e trupit të gjallë

19. Nuk kuptohet në dokument dallimi midis akademikut të jashtëm, të nderit, korrespondent, të huaj. Përgjithësisht, dokumenti i ka lënë krejt turbull statusin dhe kriteret e pranimit të tyre. Nuk kuptohet se cili është roli i tyre. Pse duhen? Mendoj se akademia ka nevojë për: Akademikë nderi. Këta mund të jenë të huaj ose shqiptarë, duke përkufizuar statusin e tyre. Po ashtu, ka vend edhe për panteonin e akademikëve, ku do të hyjnë të gjithë akademikët që kanë ndërruar jetë. Akademia merr përsipër që për gjithsecilin, të bëjë botimin e sintezës së veprave, si edhe t’i promovojë ato sipas rastit.

 

Shperndaje në: