Haradinaj viziton minatorët, u jep fjalë të mëdha për Trepçën (foto)

Shënimi i Javës së Minatorëve, 29-vjetorit të Grevës këtë vit u mbajt nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

E në fjalën e tij, para minatorëve Kryeministri Haradinaj tha se viti 1989 ishte nji ngjarje e madhe që lëkundi drejtimin e proceseve të matejme, falë të drejtës që kërkuen 1300 minatorët e ngujuem në thellësi të horizonteve të Trepçës në atë kohë.

“Përpjekja për ta dëshmuar që Kosova është e menaxhueshme dhe mundesh me vepruar me të si të duash, ka dështuar atë ditë. I kanë dalë dore Minatorët, atë ditë i ka dalë dore Kosova. Të gjitha zhvillimet që kanë pasuar, janë pikërisht dëshmi që drejtimi që kish marrë Kosova ishte me mbrojtë të drejtën e vet. Të drejtën për të jetuar të lirë, për të punuar të lirë dhe për t’i aktivizuar resurset e veta për të zhvilluar jetën”, tha Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij.

“Këtë vit e kemi shpallë vit të Trepçës. Aftësimin e Trepçës si kompani publike që të mund të operoj. Statuti i Trepçës është në hartim e sipër, Bordi i Trepçës është në përgatitje e sipër, ku do ta ketë edhe përfaqësuesin e punëtorëve, gjithashtu edhe Ligji i Trepçës. Jemi në punë që Trepça me qenë e aftë për të operuar vet dhe me gjet partner investiv. Është normale që kemi vështirësi por do t’i menaxhojmë me sukses. Do të punojmë kujdesshëm që aktivizimi i Trepçës në të gjitha kapacitetet e veta, mos me qenë fatkeqësi e asnjë qytetari të Kosovës, as i serbëve të veriut, pra nuk është fare aktivizimi i Trepçës i dedikuar kundër askujt, por për të gjithë” ka shtue Kryeministri Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij Kryeministri Haradinaj bani thirrje në ndihmë të të gjithë akterëve të përfshimë në këtë proces, në mënyrë që të aktivizohen resurset dhe Trepça të kthehet në misionin e saj, zhvillimin e Kosovës.

 

 

Shperndaje në: