‘Zbulohet’ molla e sherrit në mes LDK’s e AAK’s

Kalkulimet politike midis LDK’s dhe AAK’s nuk janë tue e lejue arritjen e nji konsensusi për me kalue Demarkacionin me Malin e Zi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës janë bllokue në nji fjalë të vetme në Draft-Marrëveshjen e diskutueme gjatë krejt ditës së djeshme mes subjekteve politike.

Molla e sherrit ndodhet në Nenin 3 të Projektligjit për Shënimin e Kufinit Shtetnor mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në Nenin 3, Pika 2 theksohet se pjesë përbërëse e Projektligjit asht edhe dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetnor për Shënimin e Kufinit.

Në këtë Pikë nuk potencohet për cilin Komision bahet fjalë, për atë të Murat Mehës apo për atë të Shpejtim Bulliqit.

Kjo, me gjasë, asht lanë qëllimisht e lirë për interpretim, në mënyrë që të dy subjektet politike, AAK dhe LDK, me mujt me interpretue simbas tyne, si mundësi për me votue Demarkacionin.

Por, fjala ORIENTIM, e shtueme në këtë Pikë, momentalisht ka bllokue gjithçka.

LDK insiston që fjala ORIENTIM m’u përdor vetëm te Pika 1.3 e Nenit 3, kur flitet për dokumentet zyrtare të Komisionit Shtetnor.

Haradinaj, gjatë seancës së sotme, ka akuzue LDK’n që me këtë propozim po tenton me zhvlerësue Raportin e Komisionit të udhëhequn nga Bulliqi, gja të cilën ai ka pohue se nuk ka me lejue në asnji mënyrë.

AAK insiston që fjala ORIENTIM, nëse veç duhet m’u përdorë, atëherë me vlejë për secilën Pikë të Nenit 3, në mënyrë që të mos bahen dallime të dokumentacioneve.

Ma poshtë, Gazeta Metro sjell të plotë të dy Draft-Marrëveshjet, njana e propozueme nga LDK dhe tjetra e propozueme nga AAK.

 

Version i LDK’s:

 

Neni 3

Pjesë përbërëse e këtij ligji janë:
1.1. Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenën më datë 26 gusht 2015;

1.2. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, SH.T.Z. Filip Vujanoviq, e datës 16.02.2018

1.3 Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit Shtetëror – për orientim.

Versioni i AAK-së

Neni 3

Pjesë përbërëse e këtij ligji për orientim janë:
1.1. Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenën më datë 26 gusht 2015;

1.2. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, SH.T.Z. Filip Vujanoviq, e datës 16.02.2018;

1.3. Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit Shtetëror.

 

Shperndaje në: