Juncker, Mogherini dhe Hahn ditën e Demarkacionit vijnë në Kosovë

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE’s, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjanim, Johannes Hahn, ka me vizitue vendet e Ballkanit, përfshi edhe Kosovën.

Vizita në Kosovë e zyrtarëve europianë, e parapame më 28 Fror, bahet në kuadër të nji turneu të tyne në Ballkan. Ata kanë me vizitue fillimisht Maqedoninë, pastaj Shqipninë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnen dhe ndalesa e fundit e tyne ka me qenë në Bullgari.

Ky turne, që nisë nga 25 Fror dhe përfundon më 1 Mars, bahet për me prezentue strategjinë e BE’s për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Javë ma parë, Komisioni Europian, prezentoi Strategjinë e re të Zgjanimit, ku afate të qarta kohore për anëtarësim në BE, ju dhanë vetëm Malit të Zi dhe Serbisë.

Kjo vizitë e diplomatëve europianë vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës po ban përpjekje me ratifikue Marrëveshjen e Demarkacionit të kufinit me Malin e Zi, e cila ishte nënshkrue në Vjenë në vitin 2015, shkruen Radio Europa e Lirë.

Në dy seanca plenare, Kuvendi ka dështue me arritë konsensus për me kalue këtë marrëveshje, e cila asht njana nga kushtet e vëna nga BE për liberalizimin e vizave, krahas kushtit për luftimin e krimit të organizuem dhe korrupcionit.

 

Shperndaje në: