Vllaznim Xhiha: Ftesë e hapur për deputetët e Kosovës – Votojeni demarkacionin!

vllaznim xhiha - bonevet

Depetutë dhe deputete të Kuvendit të Kosovës,

para jush është votimi i asaj që shkurt qytetarët e njohin si – Demarkacioni me Malin e Zi.

Më lejoni të përdori kualifikimet që ju i keni për dëshirë: do të hyni në histori si “hero” nëse e votoni, ose si “tradhtarët” e popullit të Kosovës, nëse nuk e votoni.

Nëse votoni PO për ratifikimin e Demarkacionit, ju të dashur deputetë, në emër të popullit te Kosovës do të votoni:

1) PER MIRENJOHJE ndaj aleatëve tanë SHBA dhe Bashkësisë Europiane, që ndihmuan lirimin e popullit të Kosovës nga diktatura dhe ushtria serbe dhe ndikimi rus; janë po ata aleatë që e kane mbështetur kthimin e një milion kosovarëve pas bombardimit të ushtrisë serbe nga NATO; jane po ata aleatë tanë 20 vjet pas lirimit të Kosovës, që kanë investuar miliarda euro në ndertimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të Kosoves, për të mbështetur pavarësinë dhe forcu sovranitetin e shtetit tonë;

2) PER STABILITETIN e Kosoves dhe bllokimin e ndikimit të Rusisë dhe Serbisë, të cilët janë në ofenzivë të vazhdueshme për të  destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Mosvotimi i Demarkacionit do të jetë një dhuratë e madhe në duart e atyre që historikisht kanë qenë kundër shqiptarëve dhe prezencës së tyre në Ballkan;

3) PER NJE TE ARDHME TE NDRITSHME per femitë, mbesat dhe nipat tanë. Me votimin e Demarkacionit pritet që i gjithë komuniteti ndërkombëtar t’i ndihmojë Kosovës edhe më shumë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Fëmitë tanë do të gëzojnë sistem më modern të arsimit dhe shëndetësisë, do të gjejnë punë dhe do të lëvizin të lirë.

Të dashur deputetë,

territori i gjithë Kosovës është 10.908 km2, kurse territori që është kontestues me Malin e Zi është 80 km2 (8000 hektarë). Prandaj, i gjithë ky debat po bëhet për diçka që ështe më pak se 1%  territorit, ose më saktësisht për – 0.73% e krejt territorit të Kosovës!

Edhe po të ishte e vërtetë teza se po humbim territor, une po ju pyes të dashur deputetë, a ja vlen t’i kompromitosh të gjitha të mirat qe po e presin popullin, e sidomos gjeneratat e reja të Kosovës, për 0.73% të territorit malor? A ja vlen të sakrifikosh raportet e shkëlqyera me aleatët tonë, qe na kanë ndihmuar që sot të jemi të lirë dhe falë tyre sot po e gëzojme 10 vjetorin e shtetin tonë të pavarur?

Të dashur deputetë,

vota për Demarkacion është vota për një çështje me interes vital për Kosovën. Reflektoni, gjykoni dhe votoni me përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës.

Ratifikimi i Demarkacionit është lëvizje në një të ardhme me prosperitet dhe stabilitet, kurse mosvotimi te gjithëve na kthen shumë vjet prapa dhe ia hapë dyert e Kosovës ndikimit rus dhe serb.

Ju pershëndes përzemërsisht dhe ju ftoj që ta votoni Demarkacionin!

Me respekt,
Vllaznim Xhiha

(Autori është ndërmarrës dhe filantrop. Themelues i Fondacionit “Unë e du Kosovën” dhe themelues i Qendrës Kreative per te Rinjtë “Bonevet”)

Shperndaje në: