Hoti jep detaje të marrëveshjes, raporti i ‘Bulliqit’ vetëm informues

Kryetari i grupit parlamentar të LDK’s, tha për Radio Kosovën se konsensusi i arritun sot, hapë përfundimisht rrugën që marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, me kalue sa ma parë në Kuvendin e Kosovës, dhe kështu, m’u plotësue kushti për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
 
Lexoni intervistën e plotë

Radio Kosova: Zoti Hoti, mund ta konfirmoni për Radio Kosovën arritjen e konsensusit dhe pajtimin edhe me AAK-në, për votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi?

Avdullah Hoti: Po! Në fakt, marrëveshjen me dy partitë e koalicionit në qeverisje: PDK-në dhe Nismën, partitë e vogla si dhe minoritetet, e kemi arritur të enjten në mbrëmje dhe kishte mbetur vetëm edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që të bashkohej me këtë marrëveshje, që të lëvizim përpara me ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Sot, u njoftuam që edhe AAK-ja, është pajtuar me propozimin tonë që e kishim dhënë të enjten mbrëma, dhe na vjen mirë që tani po hapet rruga përfundimisht që marrëveshja për demarkacionin sa më parë të kalojë në Kuvendin e Kosovës dhe të plotësohet kështu kushti për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë pritur mjaft shumë për këtë. Më vjen mirë që tani u arrit pajtimi, për të lëvizur përpara!

Radio Kosova: A do të thotë kjo që raporti i zotit Bulliqi, nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes për votim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës?

Avdullah Hoti: Raporti i z. Bulliqi, raporti i zotit Meha, raporti i Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, i themeluar nga ish presidentja Jahjaga dhe raporti i Komisionit të Akademisë së Shkencave, të gjitha këto, janë raporte që do t’u vihen në dispozicion deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që ata t’i kenë informatat e plota nga të gjitha komisionet e formuara nga Qeveria paraprake dhe kjo Qeveri, lidhur me këtë marrëveshje dhe pastaj deputetët të vendosin sipas ndërgjegjes së tyre. Ne, i kemi analizuar të gjitha këto raporte dhe të 27 deputetët e grupit tonë parlamentar, tanimë janë plotësisht në mbështetje të kësaj marrëveshjeje.

Radio Kosova: Pas këtij zhvillimi të ri, a ka gjasë që seanca e paraparë për të mërkurën, të mbahet të hënën, apo të martën?

Avdullah Hoti: Tani kjo është çështje e kryetarit të Kuvendit, natyrisht në konsultim me Kryesinë e Kuvendit. Seanca është caktuar për të mërkurën në orën 10.00 apo 11.00 paradite. Të shohim. Nëse ka ndonjë kërkesë tjetër, ne jemi të gatshëm që kurdo që mbahet seanca e Kuvendit, të shkojmë në Kuvend dha ta votojmë këtë marrëveshje.

Shperndaje në: