Studimi që ka me ju befasue: Qe kur “dhezet” truni

Truni

Simbas nji vëzhgimi të përshkruem nga revista shkencore “Current Biology”, truni dhezet në momentin e parë që arrin të kuptojë nji frazë.

Ky studim ka mundësue për herë të parë vëzhgimin e sinjalit cerebral që lidhet me të kuptuemin. Sinjali mundet me ndihmue në kuptimin e zhvillimit të gjuhës si dhe të individualizojë sinjale të hershme të demencës.

Studiuesit e shkollës “Trinity College” në Dublin dhe të Universitetit amerikan të “Rochester”, kanë konstatue se sinjali nuk shfaqet kur nji individ nuk e kupton nji frazë, ose kur nuk asht i vëmendshëm ndaj folësit.

Gjatë nji dite çdo njeri shkëmben mesatarisht 120-200 fjalë në minutë, dhe truni jonë evolon në atë mënyrë që të kuptojë përmbajtjen e çdo fjale mbrenda nji konteksti të caktuem.

Autorët e kërkimit regjistruen aktivitetin cerebral të vullnetarëve ndërkohë që ndigjonin libra audio, me nji elektroencefalogramë. Në këtë mënyrë u hasën me sinjalin që lidhet me kuptimin e nji fraze.

Ed Lalor, autori kryesor i këtij studimi, thotë se: “Ky vëzhgim ka shumë aplikime. Nga studimet mbi zhvillimin e gjuhës te fëmitë deri te kërkimet mbi personat në gjendje pavetëdije, si dhe te të moshuemit të prekun nga demenca. Megjithatë do të duhen studime të tjera me e kuptue në thellësi se si truni e përpunon kuptimin e nji fraze, dhe sa shumë ndryshon ky proces në mënyrën se si operon nji kompjuter”, përfundoi ai.

Shperndaje në: