Qeveria ju jep pashaporta diplomatike familjeve të Thaçit, Haradinajt e Veselit (dokument)

Familjet e kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe presidentit Hashim Thaçi janë pajisë me pasaporta diplomatike, simbas nji vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë me 20 Fror.

Shkrimi i plotë nga Insajderi:

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që përveç familjeve të kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit, edhe fëmijët dhe bashkëshortet e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe ministrit të Punëve të Jashtme të përfitojnë pasaporta diplomatike, raporton Insajderi.

“Pasaporta diplomatike i lëshohet edhe bashkëshortit/es dhe fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare të: Presidentit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Punëve të Brendshme”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë vendim të Qeverisë lidhur me pasaportat diplomatike, theksohet po ashtu se ish-presidentët e Kosovës mund të përdorin pasaportë diplomatike për tërë jetën e tyre, ndërsa fëmijët dhe bashkëshortet e tyre mund të përdorin pasaportat diplomatike vetëm një vit pas përfundimit të mandatit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati, bashkëshorti/ja i/e saj/tij , vazhdon të përdor pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e tij/saj kanë të drejtë të përdorin pasaportën diplomatike deri në moshën 18-vjecare”, theksohet në vendimin e qeverisë.

Në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur para pesë ditësh, u ndërmor edhe një vendim për pasaportat diplomatike të deputetëve. “Deputetët gëzojnë të drejtën e përdorimit të pasaportës diplomatike, vetëm një (1) vit pas përfundimit të mandatit”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Teksa familjarët e tre liderëve shtetëror kanë përfituar pasaporta diplomatike, qytetarët e Kosovës janë i vetmi vend në rajon dhe – së bashku me Bjellorusinë – të vetmet në Evropë që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen të Evropës.

Për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian e ka kushtëzuar Kosovën me ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi – marrëveshje e cila nuk është votuar ende në Kuvendin e Kosovës, edhe pse qe nënshkruar nga të dyja vendet në vitin 2015.

Shperndaje në: