A mundet gazetaria me qene e paanshme?

Mustafa-Nano

 

Mustafa Nano

 

Ka një garë këtej nga anët tona për t’u dukur si të paanshëm. U ndesha një ditë në rrugë me një gazetare të kronikës së zezë, dhe vura re se e kishte merak të më tregonte se ishte e paanshme. “Unë nuk jam me Berishën”, më tha, e sigurt se unë e shihja si berishiane. Dhe nuk e di pse i shkonte mendja se ishte nevoja për ta bërë këtë saktësim në atë bisedë. Sepse unë asnjëherë nuk e kisha vrarë mendjen se me cilën palë ishte ajo. Ishte një gjë që nuk kish pse të më interesonte. Jo thjesht se bëhej fjalë për një gazetare kronike, qëndrimi politik i së cilës, për arsye të kuptueshme, nuk ka shumë rëndësi, por edhe sepse kjo nuk ka, në përgjithësi, asnjë rëndësi.

Por këtu ca e ca janë të fiksuar pas paanësisë. E kanë ngritur në kult. Dhe ky kult ka zënë rrënjë edhe te njerëzit e thjeshtë. “Ti mban anë”, më tha dikush para ca kohësh, në Fier. Dhe ma tha në formë qortimi, i sigurt se me këtë më vuri në pozitë të vështirë. “Sigurisht që mbaj”, iu përgjigja unë. Dhe vura re se ai nuk e priste këtë përgjigje. Priste që unë të zemërohesha, të mbrohesha, t’ia prapësoja atë etiketë, t’i thoja se unë jam i paanshëm. “Po çfarë gazetari qenke ti, kur e pranoke vetë se qenke i anshëm?”, vijoi me sy gati të shqyer. Dhe shtoi: “Ne duam që ti të jesh objektiv, jo i anshëm”. E pashë të tepërt t’i thoja që ta hiqte mendjen prej objektivitetit, që arena e debatit publik nuk është një laborator kimie, dhe për rrjedhojë, nuk ka pikën e kuptimit të flitet për objektivitet, që detyra e një intelektuali publik është të jetë vetvetja, dhe të luftojë për të mbrojtur besimet e kredot e tij, e jo të jetë i paanshëm me pahir, për një modë, për një trill, për një marifet etj. etj. E lashë me mendjen që kishte.

Jemi të shumtë ne që kemi luajtur një rol në përpjekjet që janë bërë në shtypin e Tiranës për ta emfatizuar paanshmërinë, madje edhe për ta idealizuar atë, duke u njohur edhe një epërsi morale të paanshmëve. Edhe unë jam pjesë e këtij grupi gazetarësh. Në një periudhë të caktuar kam dashur që të gjithë ta merrnin vesh se unë isha i paanshëm. Ishte koha kur besoja që shoqëria shqiptare mund t’i tregonte vendin gjithë klasës politike, dhe kur nuk doja që të më fusnin te lista e të anshmëve ku, atëbotë, futeshin ca njerëz që nuk më linin shije të mire, të cilët kështu janë edhe sot. Janë njerëz që e komprometojnë, dhe e njollosin, rreshtimin në njërën anë në debatin publik, sepse e njëjtësojnë anësinë me shërbimin, në një kohë që anësia është pasion për të mbrojtur kauza të ndryshme e për të marrë pjesë në beteja. Anësia është ndershmëri. Mirëpo unë ca kohë nuk e shihja kështu. Nuk kisha guximin për ta parë kështu. Prandaj, pothuaj çdo vëzhgim kritik që bëja e shoqëroja me një “por”. Dhe filloja të kritikoja ata të kampit tjetër, që në një farë mënyre ishin të kampit tim, në mos për tjetër, të paktën për faktin që votën ua jepja. Është fjala për socialistët. Nuk është se ua kam dhënë gjithnjë votën. Fjala vjen, në zgjedhjet e fundit lokale nuk ua dhashë. Votova për Gjergj Bojaxhiun. Ka ndodhur edhe ndonjëherë tjetër që i kam “tradhtuar” socialistët, por në momente të rëndësishme politike kam votuar për ta. Duke mos harruar megjithatë t’u përvishem herë pas here me atë “por”-in. Kritikën ndaj tyre e kisha pjesë të çdo shkrimi, në të cilin qortoja demokratët. E bëja këtë në kundërshtim me një urdhër të brendshëm, i cili më thoshte se socialistët, janë si janë, që mos qofshin, janë më pak e keqja në këtë vend; në këto rrethana, nuk duhej t’u bëja kritika të pamëshirshme e asgjësuese. E bëja thjesht për t’u dukur objektiv, siç më donte ai fieraku, e siç na duan shumë të tjerë, të cilëve ne u kemi mësuar se objektiviteti është baras me paanshmërinë. Dhe hajt t’ua ç’mësosh tani! Do na duhet shumë punë e kohë. Ndodh gjithnjë kështu: Është më lehtë t’i krijosh zakonet, paragjykimet, bindjet, etj, sesa t’i zhdukësh ato. Nëse për t’u kallur në kokë njerëzve idenë se intelektuali publik duhet të jetë i paanshëm na është dashur një kohë e caktuar, është e sigurt se do na duhet një shumëfish i kësaj kohe për t’i bërë njerëzit të besojnë të kundërtën, të besojnë pra se më e mira e të mirave është që intelektuali publik të jetë vetvetja, që ai të shprehë hapur opinione, të mbrojë me forcë qëndrime të vetat e në përgjithësi të mbajë anë, pa u merakosur fare për etiketat që mund t’i vënë.

Dua ta bëj të qartë njëherë e mirë në këtë shkrim: unë jam i anshëm. Edhe kur dukem si i paanshëm, jam absolutisht i anshëm. Sepse kritikën ndaj palës sime, që në të vërtetë nuk është e imja (është thjesht më pak e keqja), e bëj me një motivim konstruktiv. E bëj jo për ta rrëzuar, por për ta ndrequr, për ta sjellë në binarë, aq sa mund të sillet, nëse mund të sillet. As që më shkon në mendje në rrethanat konkrete që të luftoj për rrëzimin e kësaj mazhorance. Dhe mund të përfytyrohet sesa larg meje janë ata “të paanshëm” që jo vetëm Ramën e konsiderojnë të keqen më të madhe, por edhe duan ta rrëzojnë me dhunë, me çadra, me ultimatume, pa zgjedhje, duke e cytur opozitën të futet në rrugë qorre. Dhe mjafton kaq për t’u thënë këtyre të fundit: “Kjo është paanshmëria juaj? Pa m’ú bëni def me gjithë të!”. Sepse nuk mund të jesh i paanshëm, duke e konsideruar njërën palë si më të rrezikshmen e politikës shqiptare në ditët e sotme, lëre pastaj të të gjitha kohëve, lëre më tej të lësh të nënkuptuar dhunën për rrëzimin e saj. Kush i mbahet këtij qëndrimi, është i anshëm gjithashtu. Një i anshëm që kërkon më kot ta fshehë anësinë, duke treguar me sjelljen e tyre se paanshmëria në thelb është veçse një hoax, një rreng. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Sepse thellë-thellë, njeriu mban anë. Është në natyrën e njeriut të mbajë anë. Dëshira e nguti për të dalë “partizan” neve na del nga rropullitë. Mua, një çikë më shumë se shumë të tjerë. I kam zbuluar vetes pafuqinë për t’i rezistuar ngasjes për t’u rreshtuar, për t’u hedhur në një betejë, ku më duhet t’u dal zot ca kredove e besimeve të mija. Unë nuk di të bëj spektatorin. Sikur koha të kthehej prapa, e ne të sotshmëve të na vendosnin në, fjala vjen, vitet e Luftës II Botërore, që në Shqipëri kanë qenë vite dilemash, unë nuk e di se me cilin kamp do rreshtohesha. Por besoj se do rreshtohesha. Të dilje në mal me partizanët ishte eksituese, á la mode, e prandaj ky do të ishte opsioni i fundit që do përjashtoja, por nuk do të ishte çudi të gjeja arsye të hidhesha me ata të Ballit e të Legalitetit, apo të bëja një zgjedhje edhe më të fortë akoma, të bëhesha kolaboracionist me pushtuesin. Partizanët e Enver Hoxhës nuk ka diskutim që përfaqësuan në atë moment historik nervin patriotik të shoqërisë shqiptare, morën armët për të mbrojtur atdheun, atë atdhe – vini re paradoksin! – që u krijua në një masë të madhe prej njerëzve të sojit të Mit’hat Frashërit, të cilët gjatë Luftës II në rastin më të mirë shkrehën ndonjë pushkë kundër pushtuesit, sa për t’u dukur, e në rastin më të keq u bënë njësh me këtë të fundit. Ishin të liq, të pabesë, tradhtarë? Për mua, jo. Thjesht bënë zgjedhjen që ata e gjykuan më pak të keqe, e që më pas qëlloi të ishte fatkeqe.

Të zgjedhësh më pak të keqen mes dy, a më shumë, të këqijash është më e rëndësishme sesa të zgjedhësh më të mirën mes dy të mirave. Sepse ndryshimi midis dy të këqijave e ka efektin mbi shoqëri shumë më të madh sesa ndryshimi midis dy të mirave. Dhe për këtë arsye, të zgjedhësh më pak të keqen është një përmbushje më e mirë e detyrimeve civile sesa të zgjedhësh më të mirën. Është edhe një punë më patriotike. Pastaj, nuk është se vetëm ne shqiptarëve na duhet të zgjedhim mes dy të këqijave. Të gjithë këtë bëjnë. Edhe britanikët, edhe gjermanët, edhe amerikanët. Edhe italianët që kemi këtu afër, të njëjtën gjë bënë të dielën e shkuar. Zgjodhën çfarë atyre iu duk më pak e keqe. Në mes të një pakënaqësie të madhe që ka pllakosur në të katër anët. Kjo është e vetmja zgjedhje që na mbetet të bëjmë.

Po nga ta dimë ne se ajo që ne zgjedhim është më pak e keqja? Nuk kemi si ta dimë me siguri. Nuk kemi pse ta përjashtojmë se mund të kenë të drejtë ata që më pak të keqen tonë e shohin si të keqen më të madhe. Është koha që do të provojë saktësinë e qëndrimeve tona. Si rregull, nuk do duhej të përjashtohej që koha t’u japë të drejtë atyre që gjithë këto vite kanë besuar, e mbrojtur, idenë se Sali Berisha ka qenë oferta më pak e keqe në këtë vend (A thua? Kaq trillane të jetë koha vallë? Bah!). Por unë nuk e kam fjalën te saktësia e zgjedhjes. Nuk është kjo që po diskutoj në këtë rast. Është krejt tjetër gjë. Jam duke diskutuar të drejtën për të zgjedhur, për të mbajtur anë, për t’u rreshtuar. Jam duke mbrojtur tezën se të mbash anë është sexy.

Në zgjedhjet e fundit në SHBA kjo ishte më e qartë se kurrë. Shumë republikanë, edhe intelektualë, votuan për Trumpin, ngaqë nuk duronin dot Hillary Clintonin, dhe anasjelltas, shumë demokratë votuan për Clintonin ngaqë nuk e duronin dot Trumpin. Në Amerikë, për fat, nuk ekziston kulti i të paanshmëve. Atje nuk është turp të jesh i anshëm. Të gjithë janë të anshëm, që nga Noam Chomsky e deri te Sean Hannity. Nuk është turp as të jesh me pushtetin. Janë një ushtri e tërë intelektualësh që janë gjithë kohën në mbështetje të Trumpit. Sepse rëndom e konsiderojnë si ofertën më pak të keqe. Për të mos thënë që ka të tjerë, si Ben Shapiro fjala vjen, që në një konferencë konservatorësh nja 10 ditë më parë, nuk la vlerësim pa bërë në adresë të Trumpit. Nuk doli askush ta cilësonte si proqeveritar. Sepse atje secili bën zgjedhjen e vet, mbi bazën e marrëdhënies së tij me ligjin, shtetin, qeverinë, fetë, barazinë gjinore, multikulturalizmin, amendamentin e dytë (mbi armëmbajtjen e ligjshme), sistemin fiskal, politikën ndërkombëtare etj. etj. Dhe zgjedhja ime në favor të Ramës, krahasuar me Berishën, ka të bëjë edhe me një marrëdhënie që unë kam me këtë botë. E me këtë logjikë, kulturalisht i kam ca pika kontakti me Ramën. Me Berishën, kulturalisht, nuk mund të puqem as në këtë botë e as në ndonjë botë tjetër. Atëherë si të kem ndërdyshje unë? Ndërdyshje mund të kenë vetëm ata, që rreshtimin pro apo kundër dikujt e ngrenë, jo mbi përafrime kulturore, por mbi qoka apo qejfmbetje të jetës së tyre. Ose mbi emocione e animozitete personale.

Paanshmëria, nëse do të binim dakord që ajo është e mundur (unë mendoj gjithë ditën e ditës se paanshmëria është objektivisht e pamundur, ngaqë secili prej nesh, në instancë të fundit, e ka një qëndrim, që e bën atë të jetë i anshëm), paanshmëria pra do të ishte e kuptueshme dhe e dobishme, veç në rrethanat e një beteje kundër elitës sunduese, me shpresën se kjo luftë do mund të prodhonte një klasë të re politike, apo me shpresën se një alternativë e tretë do ta bënte realitet këtë gjë. Unë, siç e thashë më herët, kam qenë ca kohë pjesë e këtij grupi, që besonte se shoqëria shqiptare mund ta prodhonte një alternativë të tretë, e cila mund të shënjonte një kërcim cilësor në politikën shqiptare. Një periudhë kam besuar, gjithnjë naivisht, se shoqëria shqiptare në tërësi është më e mirë se klasa e vet politike, dhe se kjo shoqëri do të ishte në gjendje të prodhonte një alternativë më të mirë, më të virgjër, më vullnetmirë, më e ndershme, më shpresëdhënëse sesa dy alternativat sunduese. Mirëpo, nuk jam më aq naiv. Të presësh që shoqëria shqiptare të prodhojë një gjë më të mirë se klasa e sotme politike është si të presësh të bëhen dardhat në shënëndre. Nuk ka se si të ndodhë një e tillë. Sepse shoqëria shqiptare është e prishur, e kalbur, është në një gjendje të shthurur e të çoroditur, më saktë në një gjendje anomie, dhe këtë gjendje nuk e kemi peshqesh nga klasa politike. Jo! Është një gjendje e jona. Është një fatalitet. Kjo do të thotë se në këto kohë ne, si kolektiv kombëtar, nuk mund të ishim ndryshe. Ne jemi në momente të një topitjeje historike. Në momente shtërzimi. Jemi të prapambetur. Tmerrësisht e frikshmërisht të prapambetur. Dhe unë nuk gjej dot një provë më ulëritëse të kësaj prapambetjeje sesa pafuqinë e disave – që janë të shumtë – për të bërë dallimin midis të keqes më të madhe e të keqes më të vogël që, në rastin tonë, është kaq i lehtë për t’u bërë. Sepse e keqja më e madhe nuk bën asgjë për ta maskuar veten. Përkundrazi, nuk ka ditë që nuk na shfaqet para syve në format më brutale. Meqë ra fjala, e patë programin “Real Story” të hënën e shkuar? / Mapo.al

Shperndaje në: