Presidenti me armë në fushë, ky asht vendimi për kampionatin grek (video)

Qeveria greke ka marrë vendim m’u ndërpre në nji afat të pacaktuem kampionati grek i futbollit, mbas ngjarjeve të nji dite ma parë në stadiumin “Tumba” të qytetit të Selanikut.

Vendimi asht marrë mesditën e së Hanës, mbas nji takimi që ka pas me Kryeministrin grek Alexis Tsipras, zv.ministri i Atletikës Georgios Vasiliadis.

“Për mëse 3 vite, qeveria greke ndodhet në një betejë për të normalizuar situatën në kampionatin grek dhe në sektorin e futbollit në përgjithësi. Për arritjet që kemi bërë, duke marrë përsipër edhe koston politike, nuk do të lejojmë fenomene të tilla të së kaluarës, që na kthejnë pas”.

Sipas tij, ka me pasë kontakte edhe me aktorë prej të gjithë ekipeve, por edhe të UEFA’s, e kampionati nuk ka me fillue nëse nuk arrihet në nji marrëveshje të dakordueme nga të gjithë, tue mos përjashtue edhe nji “Grexit” për futbollin grek, e thanë ndryshe mospjesëmarrje në kupat e Europës.

Krejt opinioni publik, mediat dhe partitë politike kanë dënue aktin e djeshëm të manjatit rusogrek, president i ekipit të PAOK’ut të Selanikut, Ivan Savidis, që ka hy në fushë tue pas në brez revolen e tij personale, e tue kërcënue me jetë referin e ndeshjes.

Ngjarja ka ndodh mbas anulimit të vonuem të gollit të vetëm të takimit, në minutën e 90, gja që ka shkatue indinjimin e ma shumë se 26 mijë tifozëve në stadiumin e Selanikut.

Por, ndërsa zemërimi i tyne nuk ka kalue kufijtë e dhunës, Ivan Savidis ka tejkalue çdo kufi.

Ngjarja dhe fotot nga hymja e tij në fushë me armë në brez kanë a xhiron e mediave botnore të sportit.

Ndërkohë, ndaj tij dhe 4 truprojave personale, të cilët kanë pasë gjithashtu armë gjatë hymjes në fushë, asht dhanë urdhënarresti, por ndërkohë nuk po gjenden.

 

 

Shperndaje në: