A është media tepër e lirë

Lord_Robert_Skidelsky
Robert Skidelsky

Helmimi i agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në një restorant italian në Salinsburi ka krijuar një histori të rëndësishme për faqet e para të shtypit në Britani. Më herët këtë muaj, ish-aktori dhe komediani John Ford zbuloi se për pesëmbëdhjetë vjet, nga viti 1995 deri më 2010, ai ishte punësuar nga Sunday Times, gazetë e Rupert Murdoch, për të hakuar dhe gërmuar në jetët private të dhjetëra njerëzve të famshëm, përfshirë kryeministrin e kohës Gordon Brown.

Duke diskutuar teknikat që ai përdori, Ford tha: “Unë kontrollova telefonat, telefonat celularë, llogaritë bankare, vodha plehrat e tyre.” Disa nga emrat më të njohur të gazetarisë britanike ka gjasa do të njollosen nga zbulime të tilla veprimesh të paligjshme.

Konflikti bazë shkon pas që nga themelimi i shtypit të lirë me anulimin e licencimit për shtypin më 1695. Për të plotësuar atë që është parë që nga ajo kohë si një qëllim i veçantë – për të mbajtur llogaridhënës ata në pushtet – shtypi i lirë ka nevojë për informacion. Ne presim që shtypi i lirë të hetojë ushtrimin e pushtetit dhe të nxjerrë abuzimet në pah. Në këtë kontekst, dikush rikujton në mënyrë të pashmangshme ekspozimin e Watergate, skandal që rrëzoi presidentin Richard Nixon më 1974.
Por skandalet aktuale nuk janë të nevojshme që shtypi të bëjë punën e vet. Vetë ekzistenca e shtypit të lirë sjell vetëpërmbajtje nga qeveria. Dhe shtypi nuk është i vetmi: sundimi i ligjit, i zbatuar nga një gjyqësor i pavarur dhe zgjedhjet me garë të mbajtura me intervale të rregullta janë jo më pak të rëndësishme. Bashkërisht, ata përbëjnë një stol me tre këmbë: nëse njëri prej këmbëve pritet, dy të tjerat rrëzohen.

Ne vijojmë ta shohim shtypin si mbrojtës përballë shtetit të plotfuqishëm dhe kjo ndodh për shkak se ne nuk kemi teoritë e duhura për pushtetin privat.

Argumenti liberal është njëkohësisht i thjeshtë dhe simplicist: shteti është i rrezikshëm ekzaktësisht për shkak se është monopol. Për shkak se ai kontrollon mjetet e dhunës dhe imponon taksa të detyrueshme, keqbërjet e shtetit duhet të ekspozohen nga gazetaria investigative e pafrikësueshme. Gazetat, ndryshe nga shteti, nuk janë monopol. Ata nuk kanë mjet imponues, kështu që nuk ka nevojë për të marrë masa kundër abuzimit të fuqisë së shtypit.

Por ndërsa monopoli i shtypit në formën e saj të pastër nuk ekziston, oligopoli dominon në shumicën e vendeve, Nëse, siç pretendojnë ekonomistët, të mirat publike shfaqen nga dora e padukshme e tregut, tregu i lajmeve është goxha i dukshëm – dhe dukshëm i përqendruar. Tetë kompani kanë nën pronësi 12 gazetat kombëtare të Britanisë, dhe katër pronarë zotërojnë më shumë se 80% të të gjitha kopjeve të shitura. Më 2013, dy burra, Murdoch dhe Lordi Rothermere, kishin nën pronësi 52% të publikimeve në internet dhe në shtyp në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse nuk do të ishte fakti që vetë shtypi e ka të pamundur të mbajë pushtetin e vet të padukshëm, ne nuk do të mjaftoheshim kurrë me vetë-rregullimin si mjet për të mbajtur shtypin të ndershëm.

Përpjekjet për të lidhur shtypin britanik me standarde të gazetarisë “dinjitoze” kanë qenë të shpeshta dhe kanë dështuar në mënyrë të përsëritur. Ka pasur gjatë komisione hetimore në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1945. Secili prej tyre është krijuar pas ndonjë abuzimi të madh dhe ka rekomnanduar “marrjen e masave” për të mbrojtur privatësinë; dhe në çdo rast, qeveria është tërhequr.
Ka dy arsye kryesore për këtë. E para, asnjë politikan nuk dëshiron të bëhet armik me shtypin: kënaqja që i ofroi Tony Blair Murdoch, pronarit të Sun, Times dhe Sunday Times, është e famshme, dhe ajo u shpërblye. Media e Murdoch mbështeti Laburistët në tri fitoret elektorale të Blair më 1997, 2001 dhe 2005. Arsyeja tjetër është më ogurzezë: gazetat kanë “pisllëqe” mbi politikanët, të cilat janë të gatshme t’i përdorin për të mbrojtur interesat e tyre.

Më 1989, pas presionit në Parlament, qeveria komisionoi David Calcutt për të drejtuar një komision për të “vlerësuar se çfarë masash (qofshin ligjore apo të tjera) janë të nevojshme për të mbrojtur siç duhet privatësinë individuale nga aktivitetet e shtypit dhe të përmirësohet sistemi i ankesave nga qytetarët përballë shtypit.” Rekomandimi kyç i Calcutt ishte të zëvendësohej Këshilli i Medias i cili është një institucion rakitik me një Komision për Ankesat ndaj Shtypit (PCC), i cili në fakt u krijua.
Më 1993, gjithsesi, Calcutt e përshkroi PCC-në si “një organ të ndërtuar nga industria, financuar nga industria, dominuar nga industria dhe që duhet të operonte një kod praktikash të hartuara nga indistria dhe që është tepër favorizues për industrinë.” Ai rekomandoi zëvendësimin e saj nga një Gjykatë staturore për Ankesat ndaj Shtypit. Qeveria refuzoi të veprojë.

Në mars 2011, Një Komitet i Përbashkët i Parlamentit raportoi se sistemi aktual i vetë-rregullimit është i dështuar dhe ka nevojë të rregullohet.” Për shkak se PCC “nuk ishte e pajisur me aftësinë për të trajtuar cënime sistemike dhe ilegale të privatësisë,” komiteti kreu propozime për një rregullator të reformuar.
Në të njëjtin vit, pas hetimeve penale për përgjimin e telefonave që solli mbylljen e kompanisë Neës of the World, të Murdoch, David Cameron, në atë kohë kryeministër, emëroi kreun e drejtësisë Brian Leveson për të kryesuar një hetim mbi “kulturën, praktikat dhe etikën e shtypit; marrëdhëniet e tyre me policinë; dështimin aktual të sistemit të rregullimit; kontratave të bëra dhe diskutimeve të kryera mes gazetave kombëtare dhe politikanëve; se pse paralajmërimet e mëparshme të shkeljeve nga ana e shtypit nuk ishin dëgjuar; dhe të trajtonte problemin e pronësisë ndërsektoriale të medias.” Leveson u mor me këtë çështje për të kryer rekomandime për mënyrat më efikase të rregullimit të shtypit me një pyetje të vetme të thjeshtë: “kush i ruan rojtarët?”

Pjesa e parë e Raportit Laveson, publikuar më 2012, rekomandoi krijimin e një rregullatori për industrinë, me pavarësi si nga gazetat ashtu edhe nga qeveria dhe që duhej të funksiononte me një dekret mbretëror. Për të parandaluar një lëvizje të tillë, të cilën ata e konsideruan si “kontroll shtetëror” pronarë te gazetave krijuan Organizatën e Pavarur të Standardeve të Shtypit (IPSO), e cila ishte llogaridhënëse ndaj askujt veç vetes së vet.

Njësoj si në herët e shkuara, qeveria pas kësaj hoqi dorë, duke injoruar opinionin e vetë Leveson i cili thoshte se nevojiteshin hetime të mëtejshme për të zbuluar “përmasat e sjelljes së paligjshme ose të papërshtatshme nga gazetat, përfshirë pagesat korruptive për policinë.” Në të vërtetë, Leveson dyshonte nëse IPSO ishte e mjaftueshme dhe e ndryshme nga paraardhësja e vet PCC, dhe nëse ajo mund të sillte ndonjë “ndryshim në sjelljen e shtypit”.

Megjithëse disa media britanike janë në mënyrë unike të mbrapshta, arritja e balancës së duhur mes nevojës së publikut për të ditur dhe nevojës së individit për privatësi është një problem i përgjithshëm, dhe duhet të trajtohet në mënyrë të vazhdueshme në dritën e ndryshimeve të praktikave dhe teknologjisë. Media nevojitet ende të na mbrojë kundër abuzimit të fuqisë së shtetit; por ne kemi nevojë edhe për shtetin që të na mbrojë nga abuzimet me fuqinë e medias./ Project Syndicate

Shperndaje në: