SHBA: Nëse Vucic nuk e pranon propozimin për Kosovën, ka kush e pranon

SHBA dhe superfuqitë perendimore ia kanë dorëzue planin e zgjidhjes për Kosovën kryetarit të Serbisë Aleksandar Vucic, merr vesh gazeta serbe “Blic”. Pala serbe e ka vlerësue planin si “të keq”!

Takimet e shpeshta të përfaqësuesve të vendeve të Quintit, e sidomos veprimi i shpejtuem i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, nuk asht i rastësishëm, vlerëson gazeta serbe. Vendet perendimore ia kanë dorëzue planin e tyne kryetarit të Serbisë. “SHBA dhe vendet perendimore i kanë dorëzue parimet dhe principet e veta, por për neve kjo nuk asht mirë. Nuk mund të fitojmë asnji komunë, AKS, do të fitoj njifarë statusi, por ende nuk dihet se cilin status do ta ketë”, ka thanë për “Blic” burimi i njoftuem me detajet e propozimit.

Në përpilimin e këtij dokumenti kanë marrë pjesë Wess Mitchell, ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan për Europë dhe Euroazi, Helga Schmidt, zavendësja e përfaqësueses së naltë të BE për politikë të jashtme dhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe. “Kryetari serb asht i vetëdijshëm se kjo ofertë e Perëndimit asht joserioze me të cilën nuk mundet me dalë para qytetarëve”, pretendon burimi i gazetës. Siç merret vesh, Wess Mitchell, disa pjesë të planit ia ka prezentue edhe OJQ’ve serbe duke thënë haptas se Serbia është e detyruar ta pranojë këtë. Simbas njanit nga pjesëmarrësve nga radhët e OJQ’ve, asht e qartë se Amerika po nxiton ta zgjidhë çashtjen e Kosovës, gja që i përgjigjet edhe fuqive të mëdhaja të Perendimit, dhe ndoshta kjo të kryhet deri në fund të këtij viti. Mitchell ishte shumë i drejtpërdrejtë, thotë burimi i gazetës, ai iu kishte thanë pjesëmarrësve se, “nëse Vucic nuk e pranon këtë plan, ka kush e pranon, por se mospranimi do të ishte fund për të (Vucicin) dhe për Serbinë”.

Shperndaje në: