Feja dhe shkenca: ose… ose…, apo edhe… edhe…

Çapajev-GjokutajÇapajev Gjokutaj

 

1. “Oportunist i madh, je bërë – më shkruan një mik fejsbuku dhe shok rinie. S’ma priste mendja që do vinte dita të thoshje se pranuake edhe shkencën, edhe fenë. Mosha, me sa duket, bën të vetën, – më qesëndis miku – por mos harro të vërtetën e historisë: feja dhe shkenca mund të rrinë bashkë sa zjarri me ujin.” Më ngjan se e ka gabim. Në këtë botë shkenca dhe feja kanë qenë, janë dhe, sipas gjasash, do të vazhdojnë të jenë përbri njëratjetrës, a të bashkekzistojnë në shekuj. Jo vetëm se praktikohen paralel në të njëjtët popuj, në të njëjtat vende e shoqëri, por edhe se japin e marrin dhe nxisin njëratjetrën të reflektojnë e të thellohen.

2. Vërtet që dikur feja digjte Kopernikun e tmerronte Galileon, por sot shkenca njihet e studiohet edhe nga elitat e klerikëve. Duket e çuditshme, por afro 50% e elitës së shkencëtarëve të botës besojnë në zot a në një fuqi të mbinatyrshme. Këtë qëndrim mbante edhe Anjshtajni, kur thoshte se i besonte shkencës, por njëkohësisht respektonte edhe fenë, se feja, sipas tij, është pjesa e pazbuluar e botës së shkencës. Feja është opium për popullin, të ngop me dogma e të qorrolleps, thonë disa. Dhe shtojnë se shpesh ka qenë në krah pushtetesh gjakatare dhe i ka legjitimuar.

Nuk e kanë gabim, historia u jep të drejtë. Por përkundër kësaj, feja mbetet e dobishme për njeriun se kryen edhe disa funksione të tjera. Është rregullator moral, kërkon nga besimtarët të mos vrasin a vjedhin, të jenë të drejtë e të mëshirshëm, etj.. Krimet e pashpirta të terroristëve islamikë sot dhe të inkuizicionit dje, nuk burojnë nga thelbi i fesë, por nga keqpërdorimi i saj.

Feja vazhdon dhe, me gjasë, do vazhdojë të ekzistojë, se kryen edhe funksione të paçmuara psikologjike: përpiqet t’i japë kuptim ekzistencës së individit, të zbusë frikërat dhe ankthet nga vdekja, sosmëja, përkohshmëria. Ideja e botës së përtejme ka qenë e mbetet balsam për miliona. Balsam si opiumi a droga, mund të qesëndisin ateistët intrasigjentë, që i kemi aq të shumtë e aq agresivë. Por edhe psikologjia, prej kohësh, qetëson e kuron shumë patologji, duke e nxitur pacientin të gërmojë brenda vetes dhe të ndërtojë realitete, qoftë edhe iluzore, vetëm e vetëm që të racionalizojë e pastaj të luftojë burimet e anktheve irracionale.

Edhe kjo lloj psikologjie, krahas qasjeve të tjera, ka qenë dhe mbetet shkencë, paçka se, për t’i ardhur në ndihmë pacientit, instrumentalizon edhe iluzione. Mes funksioneve të çmuara që kryen feja sot është edhe se i bën individët të ndihen pjesë e një bashkësie, të bashkëveprojnë në komunitet, në famulli, në xhemat, etj.. Dhe ky s’është shërbim i vogël, sidomos në ditët tona, kur njeriu ndihet aq i vetmuar.

3. Shkenca dhe feja nuk bashkëjetojnë vetëm në kombe e vende të ndryshme, por edhe brenda të njëjtit njeri. Janë me miliona agnostikët që pranojnë dhe shkencën dhe fenë, pranojnë se Zoti nuk ekziston në pjesën që ka eksploruar shkenca, por nuk e vënë dorën në zjarr për pjesën tjetër, të paeksloruarën, që ashtu si gjithësia mbetet e pafundme. Kur shkenca dhe feja ekzistojnë krah njëra-tjetrës, japin e marrin shumicën e herëve paqësisht, pse duhet medoemos të përjashtojmë njërën e të absolutizojmë tjetrën? Qasjet përjashtuese ose… ose… i kanë kushtuar njerëzimit lumenj gjaku. Mbase na bën mirë të përdorim ca më shumë qasjet edhe… edhe…

Dhe sidomos të vëmë kokën në punë, t’u ikim dogmave dhe, siç thuhet sot, të zhvillojmë të menduarin kritik, për çdo gjë e për gjithkënd. Njeriu ka një prirje natyrore, të trashëguar nga paraardhësit zoologjikë. Ato që merr nga jashtë, i përpunon thellë, ndan të dobishmen, e përpunon dhe e asimilon, kurse të dëmshmen dhe të padobishmen e jashtëqit. Këtë rrugë ndjek e duhet të ndjekë edhe në të menduar.

Shperndaje në: