Haradinaj ka nji kërkesë për vendet e Ballkanit

Në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova asht e hapun për investime të hueja direkte dhe se tregu asht tejet i përshtatshëm për t’i pritë këto investime.

“Kosova asht nji vend i vogël, me veç 2 milionë banorë dhe na jemi ndër vendet e rralla që kemi shpenzu paret nga buxheti ynë për të realizu projekte të mëdhaja infrastrukturore. Tash asht koha që të kemi investime të reja në shumë fusha, veçmas në miniera dhe Telekom. Na jemi të hapun për të gjithë investitorët dhe ky forum asht mundësi e mirë për t’i nda këto mundësi”, tha Haradinaj.

Kryeministri paraqiti interesimin e Kosovës për projekte nga fusha e Infrastrukturës, me theks të veçantë investimet e hueja, tregtinë, digjitalizimin dhe mobilitetin, që janë edhe temë e këtij forumi, tue shpalosë të arritunat e deritashme në fushën infrastrukturore dhe faktin që vendi në bashkëpunim me EBRD dhe EIB, asht tue planifikue projekte të cilat e lidhin ende ma shumë me vendet e Ballkanit Perendimor dhe me vendet Europiane.

“Aktualisht Kosova ka përfundue 65 përqind të rrugës që e lidhin Prishtinën me Shkupin, kemi nisë rrugën që lidhë Prishtinën me periferinë dhe që e njajta do të vazhdojë edhe drejt kufinit me Merdare, me Shqipninë asht përfundue tashma, derisa deri në vitin 2022 të gjitha rrugët dytësore dhe regjionale në vend do të kenë qasje në Auto rrugët që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Serbinë, Shqipninë dhe Malin e Zi, derisa po punojmë për të nisë projektet hekurudhore që lidhin Kosovën me Serbinë”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se vendet e Ballkanit duhen ma shumë me folë me njani-tjetrin, sesa të flasin për njani-tjetrin.

“Në Samitin e Sofjes u përmend që procesi për njanin nga ne, do të thotë proces për shumë prej nesh. Kosova asht hapun për investime të reja. Na mirëpresim investime në telekom, në fushën e minierave dhe po presim nga ju që të shprehni interesim. Nji përshëndetje e veçantë për Kryeministrin e Bullgarisë Boyko Borissov që ka Kryesue Presidencën e Europës dhe që në këtë kohë, vendet e Ballkanit ishin ma shumë prezentë në agjendën europiane. Në Kosovë kemi nevojë për të gjithë, kemi nevojë për njerëzit që marrin vendime dhe që ndikojnë në marrjen e këtyne vendimeve”, ka thanë Haradinaj./Rrokum.TV

Shperndaje në: