Serbia kërkoi nga EULEX arrestimin e gjyqtarit të sapoemnuem në Kushtetuese

Misioni i EULEX’it ka thanë se kishte pranue nji kërkesë nga autoritetet serbe në Nandor të vitit të kaluem për arrestimin e Radomir Laban, të cilin Parlamenti i Kosovës e ka emnue në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kërkesa në EULEX për arrestimin e tij ishte ba nga Gjykata Themelore e Kralevës në Serbi.

Në nji përgjigje për Radion Europa e Lirë, misioni i EULEX ka thanë se e kishte të pamundun me ndërmarrë nji veprim të tillë për shkak të mandatit që ka.

“Misioni EULEX-it ka pranuar një letër nga kryetari i Gjykatës Themelore në Kralevë duke kërkuar asistencë për të ekzekutuar vendimin final. Misioni nuk ka kompetenca që të procedojë kërkesën nën mandatin aktual. Ky fakt tashmë i është komunikuar përmes një letre Gjykatës Themelore (Kralevë)’’, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Radomir Laban u propozue nga subjekti politik, Lista Serbe për me qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuen zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Presidenti i Kosovës ka dy javë kohë për me miratue nji vendim të tillë.

Laban asht dënue nga autoritetet serbe me gjashtë vjet burgim nën akuzën për marrje ryshfeti.

Besohet se në vitet e fundit ai ka qëndrue në Kosovë tue ju ik autoriteteve të Serbisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkue nga Presidenti, Hashim Thaçi mos me dekretue Radomir Laban në pozitën e gjyqtarit.

Kërkesë të tillë ka ba edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut tue kërkue nji verifikim të së kaluemes së tij.

 

Shperndaje në: