Kosova detyrohet me i rishikue pensionet e veteranëve

Bashkimi Europian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nxjerrë disa konkluzione të përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar, ku Kosova ndër të tjera u dakordue me plotësue proceset e certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës.

Simbas nji komunikate të zyrës së BE’s në Kosovë, Kosova, e cila ende paraqitet me fusnotë, u dakordue me eksplorue mundësinë e krijimit të nji mekanizmi të pamvarun mbikëqyrës për politikën fiskale.

 

Lexoni lajmin e plotë:

 

“Gjithashtu, Kosova u dakordua të plotësojë proceset e certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës, të forcojë kapacitetet institucionale për planifikimin dhe menaxhimin e investimeve, si dhe të përmirësojë qasjen në financa për ndërmarrjet. Autoritetet u angazhuan të përmirësojnë politikën monetare dhe të finalizojnë kornizën e zgjidhjeve të bankave dhe të menaxhimit të krizave. Po ashtu, Kosova u dakordua të krijojë Fondin e Efikasitetit së Energjisë dhe të miratojë stimujt e efikasitetit të energjisë për sektorin privat dhe përdoruesit familjarë.

Kosova duhet të përfundojë çrregullimin e çmimeve të energjisë dhe të përfundojë një studim për një plan për rritjen graduale të tarifave të energjisë, në mënyrë që të pasqyrohen kostot aktuale. Gjithashtu, Kosova u dakordua të miratojë Strategjinë e re dhe Planin e Veprimit për luftimin e ekonomisë informale. Kosova duhet të shtojë fushëveprimin e masave të tregut aktiv të punës dhe të kryejë një analizë të nevojave të shkathtësive. Kosova u angazhua të vendosë skemën e përgjithshme të sigurimeve shëndetësore dhe të rrisë nivelin e regjistrimeve në arsimin parashkollor”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, Maqedonia u dakordua të zhvillojë një strategji afatmesme të konsolidimit fiskal, të stabilizojë raportin e borxhit publik, të miratojë ligjin organik të buxhetit, si dhe të krijojë një këshill fiskal të pavarur.

“Autoritetet duhet t’i riorganizojnë dhe t’i orientojnë më mirë transfertat e pagesave dhe subvencionet bujqësore, të përmirësojnë mbledhjen e taksave dhe të reduktojnë borxhet e sektorit publik. Autoritetet u dakorduan të punojnë në zgjidhjen e kredive të këqija dhe të inkurajojnë përdorimin e monedhës vendase. Për të luftuar sektorin informal, autoritetet duhet të përgatisin vlerësimet e rrezikut dhe të vendosin masat e duhura. Vendi pranoi të qartësojë mandatin e inspektorateve dhe të përmirësojë procedurat, të krijojë një regjistër publik të ngarkesave para-fiskale, si dhe të forcojë kapacitetet e gjykatave civile për të trajtuar mosmarrëveshjet tregtare. Së fundmi, qeveria u dakordua të modernizojë sistemin arsimor, të rrisë regjistrimet në arsimin parashkollor, të reformojë Arsimin dhe Aftësimin Profesional, të lehtësojë qasjen në tregun e punës dhe të miratojë ligjin për mbrojtjen sociale”, thuhet në komunikatë.
Rekomandimet e politikave të dakorduara për Shqipërinë, sipas BE-së, përqendrohen në ndjekjen e konsolidimit fiskal, zhvillimin e politikës monetare në përputhje me arritjen e objektivit të inflacionit, dhe zbatimin e masave të mbetura të strategjisë së zgjidhjes së kredive joperformuese.

“Shqipëria u dakordua të sigurojë liberalizimin efektiv të tregut të energjisë dhe funksionimin e shkëmbimit të energjisë, të zgjerojë më tej përzierjen e furnizimit me energji duke stimuluar efikasitetin energjetik, si dhe të forcojë procesin e regjistrimit kadastral të tokave dhe pronave. Së fundi, autoritetet u angazhuan të sigurojnë kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e politikave të punësimit, në veçanti për të rinjtë dhe gratë, si dhe që të trajtojnë punën e padeklaruar”, thuhet në komunikatë.

Shperndaje në: