Në nji katund të Prizrenit hajnat hyjnë në shtëpi, vjedhin 100 mijë euro!

Duket e pazakonshme që 100 mijë euro të mbahen në shtëpi, mirëpo nji prizrenas ka veprue kështu, e që dikush i ka ra në gjurmë.

Bahet fjalë për nji banor të katundit Piranë të Prizrenit, i cili ka lajmërue Policinë dhe ka njoftue se para dy netësh i janë vjedhë hiç ma pak se 100 mijë euro.

Policia ka konfirmue rastin, dhe ka thanë se simbas raporteve të hetimit mendohet se vjedhja ka ndodhë rreth orës 20:20 deri në 22:30.

Simbas njoftimit të Policisë, përveç 100 mijë eurove që dyshohet se u vjedhën në shtëpinë e banorit të Piranës, aty dyshohet të asht marrë edhe nji qafore e artë.

“Në orët e vona të mbrëmjes, policia në Prizren është njoftuar për një vjedhje të rëndë e cila ishte raportuar të ketë ndodhur në shtëpinë e një qytetari në fshatin Piranë. Sipas raporteve hetimore thuhet se në intervalin kohor prej orës 20:20 minuta deri më 22:30 minuta dikush kishte hyrë në shtëpi dhe në një dhomë kishte marrë 100.000 euro dhe një qafore të artë. Policia ka kryer procedurat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dha ka nisur me hetimin e rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shperndaje në: