Europa ka një problem demokracie

Douglas Murray

 

 

Këtë javë, Bashkimi Evropian zbuloi natyrën e tij të vërtetë. Në vend që t’u jepte pushtetin euroskeptikëve, Presidenti i Italisë Sergio Mattarella sfidoi procesin demokratik dhe vullnetin e shumicës së italianëve dhe vendosi në post një kukull. Edhe njëherë një demokraci e madhe evropiane sheh rezultatin e votimit legjitim të fshihet mënjanë sepse BE nuk mund ta miratojë atë. Është e vështirë të mos arrish në konkluzionin se ata që votuan Leave (Largim) në referendumin tonë (Brexit) me qëllim “rimarrjen e kontrollit” kishin të drejtë. Elita qeverisëse në Evropë thjesht nuk e pranon të lëshojë kontrollin nga duart. Ata nuk mund t’u lejojnë njerëzve ta vendosin realisht vetë se kush do t’i udhëheqë për shkak se projekti i madh i BE vlen mbi gjithçka.

Në Itali, në mars, njerëzit shkuan në qendrat e votimit dhe me sa duket kanë nxjerrë verdiktin e gabuar. Që atëherë, fituesit kryesorë janë përpjekur të krijojnë një koalicion qeverisës. Meqënëse ata vijnë nga drejtime politike shumë të ndryshme ishte e pritshme që formimi i koalicionit të ishte një sfidë. E megjithatë, javën e kaluar Pesë Yjet dhe Lega Nord arritën të binin dakord mbi disa prioritete bazë për koalicionin.

Gjithçka dukej se po ecte mirë sipas standardeve politike italiane. Partitë ranë dakord edhe për një akademik të panjohur, të quajtur Giuseppe Conte (po e quajmë Profesori A), për postin e kryeministrit.

E megjithëse Mattarella (i cili ka të drejtën e miratimit të qeverisë) dukej i kënaqur me një kryeministër pa përvojë në politikë, ai i hoqi vizë propozimit të koalicionit për ministrin e ri të financave për arsyen e thjeshtë se në të kaluarën ai nuk kishte shfaqur mjaftueshëm përkrahje për BE dhe eurozonën. Edhe më keq, profesori 81-vjeçar Paolo Savona (po e quajmë Profesori ka shprehur shqetësime për të gjithë projektin e unionit monetar, duke hedhur edhe idenë se në një moment Italia mund të ketë nevojë për të gjetur mënyrën e daljes nga valuta evropiane. Mattarella nuk mund ta lejonte një heretik të tillë në zemër të qeverisë dhe refuzoi të bekonte emërimin e ministrit të financave. Kështu që Profesori A rrëzoi Profesorin B për shkak të përkrahjes së Profesorit B për Planin B, duke i kthyer të dy profesorët në klasë e duke i dhënë fund njërit prej episodeve më lehtësisht të kuptueshëm në politikën bashkëkohore italiane. Në ditët e fundit ka pasur thirrje për të paditur Mattarellën, por ai nuk kishte zgjidhje tjetër. BE kërkon bindje.

Mattarella bëri një përpjekje të fundit për të emëruar si kryeministër dikë që të paktën plotësonte kriterin minimal i të qenit i pazgjedhr. Problemi i vetëm i presidentit ishte se i propozuari i tij — Carlo Cottarelli — nuk është i panjohur. Zoti Gërshëra, siç njihet në Itali, ka qenë kandidat edhe për FMN dhe është kritikuar ashpër për besnikërinë për BE dhe mbrojtjen e masave të ashpra ekonomike. As Pesë Yjet dhe as Lega nuk e miratojnë emërimin e tij dhe në një farë kohë pibliku italian duhet t’u rikthehet qendrave të votimit për t’u angazhuar edhe një herë në maskaradën e votimit me qëllim emërimin e një maskarade qeverie.

Sigurisht, Brukseli kishte pikëpamjet e tij në këtë rrëmujë. Sidomos për elektoratin e padisiplinuar e të pakorrigjueshëm italian. Komisioneri për buxhetin e BE Günther Oettinger dha një intervistë në të cilën tha se “shqetësimi dhe pritshmëria ime është që javët e ardhshme të tregojnë se zhvillimet në tregjet, bonot dhe ekonominë e Italisë të kenë efekte kaq të rëndësishme sa që mund të shndërrohen në sinjale për votuesit që të mos fare për populistët në të djathtë e në të majtë”. Shumë votues italianë janë familiarë me këtë lloj të foluri. “Alamet vendi keni aty. Gjynah t’i ndodhë diçka”.

Ndoshta duke parë që kjo nuk luajti tamam notën e duhur për një projekt demokratik, Günther u korrigjua nga Donald Tusk, i cili shkroi në Twitter: “Të gjitha institucioneve të BE: Ju lutemi respektoni votuesit. Jemi për t’u shërbyer atyre, jo për t’u dhënë leksione”.

BE supozohej të ishte një forcë bashkuese. E megjithatë shikoni se çfarë po ndodh. Gazetat gjermane denoncojnë italianët si dembelë dorëshpuar. Italianët akuzojnë gjermanët se po e përdorin euron për të arritur atë që nuk mundën të arrinin nazistët. Francezët i shohin evropianolindorët si inferiorë, duke i trajtuar si parazitë që iu ulin pagat. Evropianolindorët e ndiejnë që po trajtohen si qytetarë të rangut të dytë. Dhe këngët e BE për hapjen e transparencën tingëllojnë pak si stonaturë.

Në zgjedhje pas zgjedhjeje gjatë viteve të fundit, publiku evropian ka dëgjuar një përgjigje të ngjashme sa herë që votuesit kanë nxjerrë rezultatin “e gabuar”. Sakatimi i Angela Merkelit në Gjermani ishte qartësisht i gabuar. Zgjedhja e koalicionit të të djathtës ekstreme në Austri edhe më e gabuar. Ndërsa elektorati holandez me sa duket veproi “mirë” duke rizgjedhur zotin Rutte. Dhe sigurisht elektorati franzez veproi më mirë nga të gjithë duke zgjedhur një person që nuk kishte parti ekzistuese dhe që thebu paradigmën politike vetëm me fuqinë e personalitetit të tij. Dhe meqënëse zoti Macron është një mbrojtës i integrimit të mëtejshëm të BE ai nuk mund të përshkruhet nën asnjë rrethanë si “populist”.

“Populist” është një nga ato termat në që iu rezervohen vetëm atyre që ecin në “drejtimin e gabuar” (si për shembull qeveria e propozuar italiane) në këtë marshim të madh. Lloji i njerëzve që e udhëheqin gabim publikun me slogane. Ndryshe nga ‘En Marche!’, për shembull. Ata janë edhe lloji i njerëzve që i “thjeshtësojnë” gjërat – duke i paraqitur çështjet komplekse në mënyrë të thjeshtë, ndryshe nga demokratët e vërtetë që e shtrojnë çdo çështje në mënyrë kaq të ndërlikuar sa që vetëm ata që kanë diplomë për ekonomi austriake mund ta kuptojnë.

Dhe nuk është vetëm jugu ku votuesit vazhdojnë ta tregojnë veten ashtu siç janë, të papërgjegjshëm. Në Evropën qendrore dhe lindore njerëzit po votojnë vazhdimisht për partitë e gabuara. Përballë gjysmë milioni njerëzve që kaluan përmes vendit më 2015, qeveria hungareze dështoi të kishte një përqasje të mjaftueshme multikulturore për të gjithë çështjen. Si rezultat – ashtu si qeveritë në Poloni, Çeki e Sllovaki – ata konsiderohen nga Brukseli dhe Berlini si njerëz që ecin në një drejtim shumë të gabuar. Meqënëse nuk ka fakte për manipulim vote, mendohet që votuesit thjesht janë udhëhequr në drejtim të gabuar. Qeveritë e tyre akuzohen sepse kanë marrëveshje me fqinjin apo pothuajse fqinjin, Rusinë. Dhe kur një lider si kryeministri hungarez Orbán deklaron se vendi i tij është “demokraci kristiane”, Brukseli e Berlini, ashtu si BBC, reagojnë sikur ai është bërë krejt fashist. Në çdo takim deklarojnë ilegjitimitetin e këtyre qeveri dhe i krikojnë sikur t’i kenë vasalë e jo partnerë.

Evropa qendrore e lindore jep shumë shembuj të fortë. Në prill, publiku hungarez votoi Viktor Orbán për të tretin mandat radhazi. BE mund të ishte përgjigjur duke vrarë mendjen nëse Orbán mund të kishte të drejtë në disa gjëra. Apo nëse ka ndonjë meritë? Në fund të fundit, po ndodh në Berlin aktualisht e jo në Budapest që hebrenjve po u thuhet të jenë të kujdesshëm për shfaqjen në publik me simbolet e tyre. Por autoreflektimi nuk ndodh kurrë. Përkundrazi, njerëzit që votojnë në mënyrën e gabuar janë subjekt i avazit të ri të akuzave, përfshirë (por pa u kufizuar me) Rusinë, populizmin, nacionalizmin, racizmin, Cambridge Analytica.

Që nga ky muaj, BE është në procesin e humbjes së njërit prej anëtarëve më të mëdhenj kontribues (Britaninë), është armiqësuar me shumicën e Evropës qendrore e lindore, dhe përballet me një grup vendesh mesdhetare me temperament. Gjithçka me mundësinë që votuesit italianë të shkojnë në votime pas pak muajsh e të nxjerrin një “ik mbushuni” edhe më të lartë se sa në mars.

Institucionet më pragmtaike mund të nxjerrin mësime nga e gjitha kjo. Dy javë më parë, kur Macron mori çmimin Charlemagne, ai paralajmëroi se Brexit, si zgjedhjet në Itali, Poloni e Hungari duhet të shihen si kambanë alarmi. E megjithatë nuk ka ndonjë shenjë se dikush me funksione në Bruksel, Berlin apo Paris donte të dëgjonte. Përkundrazi, dëgjohet vetëm thirrja e përhershme për të ecur më shpejt, më fort përpara, drejt integrimit. Asnjë marrje në konsideratë e hezitimit apo pauzës për të lejuar publikun të azhornohet.

Sigurisht, Britani është e zonja të konkurrojë me më të mirët në botë në sportin e t’ia futur vetes në këmbë. Të gjitha ato tregje thesari për të cilat Günther Oettinger është kaq i axhituar do të jenë po aq agresive karshi një Britanie që del nga BE sa do të ishin edhe për vendet mesdhetare që përpiqen të përcaktojnë nëse janë ligjmarrës (si grekët) apo ende lejohet të jenë ligjbërë (siç po përpiqen të jenë italianët).

Jashtë Dhomës së Lordëve Britani ende ruan një paragjykim përgjithësues se publiku duhet dëgjuar. Përmes kontinentit tonë — në emër të harmonisë më të madhe — po del një tjetër teori. Tingëlln më tepër si një mesazh zanor: “Ju lutemi, qëndroni në linjë. Telefonata juaj është e rëndësishme për ne”.

“Vota juaj është e rëndësishme për ne”, dëgjojnë t’u thuhet me mirësjellje votuesit në Itali dhe Evropë, në mënyrë të përsëritur nga makineria me zë të vdekur. “Ju lutemi, qëndroni në linjë”.

Ndoshta do të qëndrojnë. Ndoshta jo.

Marrë nga Spectator.co.uk

 

Shperndaje në: