BQK: Ekonomia shënoi rritje rreth 3.7 %

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftue se simbas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2017, vlera nominale e BPV’s arriti në 6.3 miliardë euro.

Në terma real, ekonomia e Kosovës ka shënue rritje prej rreth 3.7 për qind.

Në kuadër të kërkesës së mbrendshme, aktiviteti i përgjithshëm në vend u mbështet nga përforcimi i pozicionit të investimeve, përderisa simbas ASK’s, konsumi i përgjithshëm u karakterizue me ranie.

Kontribut pozitiv në rritjen reale të BPV’s kishte edhe pozicioni i neto eksporteve, që rezultoi nga rritja e theksueme vjetore me të cilën u karakterizue komponenta e eksportit të mallnave dhe shërbimeve.

“Rritja e aktivitetit ekonomik është gjeneruar kryesisht nga rritja e investimeve prej 10.7 për qind (kryesisht rritjes së IHD-ve dhe kredive investive), si dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve prej 23.8 për qind kundrejt rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve prej 5.5 për qind. Në vitin 2017, rritja e kërkesës së jashtme, si dhe rritja e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare është përkthyer në rritje të vlerës së gjithsej eksporteve të vendit në vitin 2017”, ka njoftue BQK në raportin vjetor për vitin 2017, shkruen Telegrafi.

“Konsumi është vlerësuar të ketë shënuar rënie vjetore prej 1.6 për qind. Sipas qasjes së prodhimit, aktiviteti ekonomik vlerësohet të jetë mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit, konkretisht, rritja e vlerës së shtuar nga sektori financiar (22.6 për qind), sektori i ndërtimit (12.4 për qind), dhe tregtisë (6.2 për qind). Ndërsa, rënie reale vlerësohet të jetë shënuar tek administrimi publik (1.6 për qind) dhe shërbimet tjera (18.4 për qind)”, thuhet në raportin e BQK’s.

 

Shperndaje në: