FIFA dënon Serbinë, kjo asht tash arsyeja

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) e ka dënue me gjobë prej 10.000 CHF Federatën serbe të futbollit për shkak të sjelljes josportive të simpatizuesve serb gjatë lojës së parë të kombëtares së tyne me Kostarikën.

Në arsyetim të këtij vendim pretendohet se simpatizuesit serb janë sjellë në mënyrë të pahijshme dhe i theksonin porositë politike gja që nuk ka asnji lidhje me sport dhe asht plotësisht kundër rregullave të FIFA’s.

E gjitha kjo vjen pak ditë para ndeshjes që Serbia e zhvillon kundër Zvicrës, të Premten më 22 Qershor, ku tensionet pritet me qenë edhe ma të mëdha nga tifozët serbë për të vetmen arsye, sepse te Zvicra luejnë katër shqiptarë, tre prej të cilëve kanë prejardhje dhe kanë lind në Kosovë.

Federata ndërkombëtare për këtë kampionat, ka angazhue ekspertë për me vlerësue se a ka diskriminime nëpër tribuna.

Denimin e njajtë sikur Serbia, ka me pague edhe Kombëtarja e Futbollit të Meksikës, simpatizuesit e të cilës e kanë fy portierin e kombëtares gjermane Manuel Neuer derisa thërrisnin parulla homofobike. /Insporti.com

 

Shperndaje në: