Azem Vllasi: Mbas plagosjes, pata nji thirrje nga Rusia

Azem Vllasi

Avokati Azem Vllasi sot para gjykatës rrëfeu momentin e plagosjes së tij nga i dyshuemi Murat Jashari, i cili asht pjesë e aktakuzës në rastin e njoftun si ‘Syri i Popullit.

Jashari, njani nga të pandehurit e këtij rasti akuzohet lidhun me sulmin që ndodhi ndaj avokatit Azem Vllasi, i cili ishte plagosë në Mars të vitit të kaluem në afërsi të banesës së tij në Prishtinë.

Vllasi i pyetun nga Prokurori se a ka pasë kërcënime para se të ndodhte plagosja, ai u përgjigj se ‘kam pasur rast t’i shoh disa shkarravitje me qindra pyetje e do shkarravitje të Sadri Ramabajës por unë kërcënime direkte nuk kam pasë”.

Vllasi mandej rrëfeu ngjarjen se si kishte ardhë deri te plagosja.

“Më ka thirrë Ramiz Mavriqi që e kam njoftë moti dhe me ka thanë që një palë pe lyp dhe më ka pyet se a mundem me ja dhanë numrin dhe unë i kam thanë që të ” lajmërohet” sepse askujt si kam thanë me ardhë pa e dit se çfare rasti ka.”, rrëfeu Vllasi.

“Ka ardhur dhe e kam pyet se çfarë problemi ke dhe më tha që çështje avokatie dhe pastaj unë e pyeta se çfarë dhe pastaj më tha se ka një çështje pronësore dhe pastaj unë i thash se nuk merrem me këto lëndë dhe pastaj më tha që më ka çu Ramiz Mavriqi dhe unë për atë deshta me ja dhanë numrin e një kolege dhe ky tërë kohën ka dashtë me hy brenda dhe unë teksa kam hy me marrë një letër me ja dhanë numrin dhe kur kam dalë ky ish kurdis ke revole me shurdhues dhe pastaj kam bertit instinktivisht”, vazhdoi ai.

Derisa Vllasi po e tregonte ngjarjen në gjykatë, i akuzuemi Murat Jashari ka akuzue Vllasin ‘që po rren’.

Simbas Vllasit, mbasi kishte ndodhë plagosja, atij i kishin ardhë disa thirrje me prefiksin e Rusisë.

“Pasi ka ndodhur ngjarja i kam gjetur në telefon dy thirrje me kod rus nga një qe del si Tatiana dhe një telefonate tjetër nga dikush tjetër. Gjendja ime shëndetësore, shyqyr që kam shpëtuar me pasoja të lehta por si t’ju them, mua më ka ndryshuar jeta dhe unë e di që askujt si kam shkaktuar diçka dëm dhe unë kam familje të madhe dhe kam pyet nëse i kemi shkaktuar dikujt diçka dhe asnjë problem se kemi pasur”, tha Vllasi.

Ai shprehu shqetësim mbi punën e tij të matutjeshme mbas plagosjes.

“Unë e kam humbur sigurinë e po duhet me i zgjedh edhe lëndët. Kam pasoja emocionale, psikike, fizike”, tha Vllasi.

Në pyetjet e avokatit të tij, Vllasi tregoi edhe për aktivitetin e tij politik mbas viteve të 90’ta.

“Si kam dalë prej burgu ju kam përkushtuar provimit të judikaturës dhe e kam dhanë provimin në Zagreb dhe prej vitit 93 jam angazhuar si avokat por jam angazhuar në çështje të ndryshme sepse ambasadorët e huaj dëshironin të kishin kontakte me mua e media. Ibrahim Rugova më ka thanë me bo propozimin për njohjen e shtetësisë së Kosovës në atë kohë. Pastaj kontakte e tribuna të ndryshme e para luftës në 98 kur u pa që rezistenca e armatosur ishte e pashmangshme, e kanë themeluar zyrën politike dhe pastaj Adem Demaçi më ka thirrë me u bo njëri prej këshilltarëve më atë zyre dhe ai ka fol publikisht për këtë.”, tha Vllasi.

Përveç Murat Jasharit dhe Bajrush Konjushës të akuzuemit tjerë të këtij procesi gjyqësor janë Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

“Jo vetëm ndaj atij por ndaj askujt sepse skam pasë asnjë pushtet me marrë vendime.

“(A i ke dhanë ndonjëherë informata organeve të ndjekjes për Avni Llumnicës?)Jo bre burrë asnjëherë. (Atëherë a ka pasë ndonjë motiv për hakmarrje Avni Llumnica ndaj jush?) Jo.”, ishte dëshmia e Vllasit.

Ndërsa, vetë i akuzuemi Llumnica e pyeti Vllasin se a asht në dijeni që kishte qenë pjesë e protestave në Slloveni kundër arrestimit të Vllasit.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyne më 28 Fror.

Mbi 10 të akuzuemit randojnë vepra penale tue fillue hakmarrje, ndihma, dhunimi, pregaditja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuem të armëve dhe hakmarrje.

Simbas prokurorisë, të akuzuemit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqnore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve ma të nalta shtetnore tue fillue nga ish-funksionarët e naltë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, tue i konsiderue si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016./kallxo/

Shperndaje në: