FSK pajiset me 51 automjete ushtarake amerikane

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, me rastin e blemjes së automjeteve multi-funkcionale ushtarake të lëvizshmënisë së naltë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni u ba e ditun se 51 automjete ushtarake kanë me qenë për Kosovën.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Kryeministri Haradinaj, tha se FSK po modernizohet me mjete ushtarake.

“FSK është një trupë profesionale gjithpërfshirëse. Sot ne po bëhemi dëshmitar se FSK po modernizohet me mjete ushtarake. Kjo tregon se kjo forcë po bëhet sipas kërkesave të NATO-s. Transformimi do të bëhet në koordinim të plotë me aleatët tanë. FSK është e të gjithëve që jetojnë në Kosovë, e shqiptarëve, e serbëve e të gjithëve që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Ministri i FSK’s, Rrustem Berisha, tha se furnizimi me këto automjete ka me mundësue modernizimin e pajisjeve të FSK’s.

“Sot është një ditë e veçantë për ministrinë dhe për FSK-në sepse furnizimi me automjete taktike të cilat do të jenë në shërbim të FSK-së është e një rëndësie të veçantë që ndikon në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Këto automjete të cilat po i prezantojmë sot mundësojmë modernizimin e pajisjeve të FSK-së që do t’i shërbejnë FSK-së në realizimin e misionit të saj”, tha Berisha.

E ambasadori i SHBA’ve, Greg Delawie, u shpreh i lumtun që Forca e Sigurisë së Kosovës ka me u pajisë me automjete ushtarake të cilat prodhohen në SHBA.

“Këto vetura kanë një histori të gjatë dhe janë në shërbim më të gjatë se 30 vjet. Ato tashmë janë simbol dhe jam shumë i lumtur që Kosova ka përzgjedhur këto vetura”, tha Delawie.

Shperndaje në: