Vazhdon absurdi, shpallet ‘luftë’ tregtare Shqipni-Kosovë, reagon ish-ministri (foto)

Lideri i Partisë Agrare Ambientaliste, ish-ministri Agron Duka ka reague ndaj vendimit të Qeverisë Rama për vendosjen e të ashtuquejtunës “masë mbrojtëse me vlerë 30%” për produktet bujqësore shqiptare që kanë si destinacion Republikën e Kosovës.

Në listë janë produkte si: patatja, domatja, speci, trangujt, shalqiri, pjepri, lakra, spinaqi, qepa, molla, dardha, kumbulla, qershia, misri etj.

Postimi i plotë i Agron Dukës

“Luftë tregtare Shqipëri-Kosovë”

Prej ditës së nesërme, në mënyrë të njëanshme, pa asnjë paralajmërim dhe arsyetim, produktet bujqësore shqiptare që kanë si destinacion Republikën e Kosovës, do të jenë objekt i një mase mbrojtëse me vlerë 30%.

Në listë janë produkte si patatja, domatja, speci, trangujt, shalqiri, pjepri, lakra, spinaqi, qepa, molla, dardha, kumbulla, qershia, misri etj.

Sipas rregullave të CEFTA-s, ku Shqipëria dhe Kosova janë anëtare, një shtet mund të vendosë masa të përkohshme për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore që mund të zgjasin deri në stabilizimin e tregut, por për këtë, në mënyrë dypalëshe, duhet të njoftohen vendet dhe të arsyetohen masat.

Miratimi i masës së njëanshme mbrojtëse, për të cilën, deri më tani prodhuesit shqiptarë nuk janë njoftuar nga qeveria e Tiranës, do të thotë shkelje e rregullave të tregut të lirë, pasi kur një shtet vendosë të mbrojë në këtë mënyrë prodhimtarinë e vet, atëherë rrezikon që edhe shtetet tjera të miratojnë kundër-masa.

Një vendim i tillë është një goditje e drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj fermerëve shqiptarë, të cilët janë ndër eksportuesit kryesor të produkteve bujqësore, por edhe ndaj importuesve të Kosovës. 

Partia Agrare Ambientaliste i bën thirrje urgjente qeverisë së Shqipërisë, sidomos ministrive të linjës, mediave dhe grupeve të interesit, që të angazhohet sa më parë në zbardhjen e kësaj situate që rrezikon të shndërrohet në një luftë tregtare midis dy vendeve; ku humbës do të jenë prodhuesit dhe konsumatorët nga të dyja anët e një trau doganor që është një barrierë anakronike e cila duhet t’i përkiste të shkuarës.

Nëse mbledhjet e përbashkëta midis dy qeverive, që me sa duket kanë prodhuar vetëm vizita turistike, nuk janë në gjendje të rrëzojnë barrierat që koha ka ngritur midis shqiptarëve, të pakën të mos krijojnë dëme të panevojshme nëpërmjet masave të tilla, të cilat nuk janë mbrojtëse, por ndëshkuese për ekonomitë tona në terma afatgjata.

Shperndaje në: