Pacolli për Danasin serb: Asnji shtet s’e ka tërheqë njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli i ka cilësue si të padobishme përpjekjet e shtetit serb për uljen e numrit të vendeve të cilat e kanë njoft Kosovën.

Në nji intervistë për Danas, Pacolli ka thanë se financimi që po bahet nga shteti serb që shtete si Guinea, Liberia, Surinami dhe Burundi me tërheqë njohjen ndaj Kosovës, asht i padobishëm dhe imazh i dobët i Serbisë, përcjell lajmi.net.

“Normalisht që Kosova do të reagojë ndaj këtyre veprimeve të Daçiqit, dhe si rezultat, ne kemi marrëdhënie diplomatike me Guinea Bisau sot. Me Burundin, edhe pas publikimit të famshëm të Daçiqit për çnjohje, sërish kemi marrëdhënie perfekte. Edhe në Liberi kemi të njëjtën situatë”, ka thanë ma tutje Pacolli.

Simbas Pacollit shpallja e Pamvarësisë së Kosovës ka krijue nji realitet të ri dhe të pabesueshëm, dhe simbas tij çdo tentativë për me ndryshue nji gja të tillë asht thjeshtë utopi.

Ai po ashtu ka nënvizue se Kosova nuk ka pranue asnji notë verbale nga shtete të cilat Serbia ka pretendue se kanë tërheq njohjen e pamarësisë.

“Ju siguroj se Kosova nuk ka pranuar asnjë letër ku tërhiqet njohja. Nëse do të dërgonte dikush diçka në Kosovë, ne sigurisht që do ta adresonim këtë nëpërmjet kanaleve zyrtare. Gjithsesi në jemi të interesuar të flasim vetëm për faktet zyrtare”, ka përfundue Pacolli.

Kujtojmë se tash e nji kohë të gjatë shteti serb përmes disa letrave të publikueme, pretendonte se vende të ndryshme e kanë tërheqë njohjen e pamvarësisë së Kosovës, mirëpo deklarata të tilla nuk janë vërtetue asnjiherë.

Shperndaje në: