Ja pse Hashim Thaçi nuk mund të jetë tradhëtar…

artur zheji

Artur Zheji

Të akuzosh Thaçin për tentativë tradhëtije kombëtare, më duket një fantazi Mesdhetare, dhe një lojë e pastër politike.

Thaçi ka qenë dhe është, dhe të gjithë e dinë këtë, një njeri që ka mbi supe ngrohtësinë e mbështetjes amerikane, që në kohën e Luftës së Kosovës, dhe pandashmërisht deri më sot.

Se çfarë ka bërë Hashimi me këtë supermbështetje, flet Rambujeja dhe krejt historia moderne e Kosovës, nga çlirimi, te Pavarsia dhe deri te zigzaget e zhvillimit e të moszhvillimit të Kosovës së sotme.

Ka qenë kryeministër dhe sot flet si President, në moshë relativisht të re, ka provuar luftën e trimave, negociatat, politikën dhe ka marrë të gjitha shpërblimet e mundshme nga populli i tij.

Mund të ketë bërë gabime politike, është ndëshkuar me votë, porse ai, nuk do të kishte kurrë guximin për tu shërbyer serbëve, që më shumti duan vdekjen e tij fizike, politike dhe kaosin në Kosovë.

“Tezat” e tija për korigjime kufinjsh, nuk mund të jenë asnjëherë “vetëm tezat e tij”, kush nuk e kupton këtë, gabon me dashje. Thaçi, ka patur një partiturë të qartë politike dhe gjeopolitike, që në periudhën e Rambujesë, e cila e ka sjellë Kosovën, këtu ku është sot, të lirë dhe të pamvarur.

E dëgjova me vëmendje Doktor Berishën në intervistën e tij më të fundit, që mund të them se ishte një intervistë cilësisht e mirë, por ju shmang sulmeve ndaj Thaçit, dhe thjesht hodhi poshtë akuzat e Presidentit të Kosovës. Një pjesë e argumentave të Berishës janë inteligjente dhe të qëndrueshme, por ka një gjë që nuk shkon në thelbin e tyre.

Ndërmjet Rrugovës sharmant dhe gandian (ndjekës i Gandit), që në kohëra të caktuara e kemi dashur të gjithë, dhe UÇK-së, Perëndimi dhe SHBA, zgjodhën të mbështesin UÇK-në, dhe kjo e treti Rugovën që krijoi sidoqoftë, në mënyrë gjeniale, Emblemën teorike të Pavarsisë së Kosovës, por kaq.

Në këtë periudhë të nxehtë të motit dhe të mendjeve, në Prishtinë dhe në Tiranë, soditja aktive e Tiranës, do të ishte rruga më e mençur në favor të Kosovës së Shekullit të ri.

Thaçi, herët a vonë duhet ta zëvendësojë zyrën e komunikimit, sepse, nuk ka pse sot, të merret me Berishën, sepse është krejt jopolitike dhe nuk shërben për asnjë zgjidhje më të mirë gjeopolitike, në raport me Kosovën.

Njohës teorik, më të mirë të gjeopolitikës, ndër politikanët shqiptarë se sa Sali Berisha, nuk ka ende një të dytë, tjetër gjë nëse e ka vënë gjithmonë urtësisht në punë kulturën e tij politike, ku shpesh egoizmi i pushtetit ka patur edhe ay, llokmën e vet, por kjo është një çështje tjetër.

Pastaj Presidenti i Kosovës, i cili është i detyruar të mos thotë se nga vjen burimi i “provokimit” të tij gjeopolitik, e filloi krejt gabim qasjen e tij, për një temë kaq të madhe mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai si President dhe si ish Komandant i UÇK, duhet fillimisht të sqaronte urtësisht dhe me modesti, në Prishtinë dhe në Tiranë, rrethin e njerzve më të rëndësishëm dhe më konfidentë, ku të shpegonte “shtysën madhore” të këtyre “korigjimeve” të kufinjve shtetërorë të Kosovës dhe mbi të gjitha, Garantin Ndërkombëtar dhe të Qëndrueshëm e të Besueshëm, të këtij Proçesi, që hap, në të vërtetë, si thotë edhe ish kryeministri Berisha, krejt Dosjen Kosova.

Sepse ky Proçes nuk mund të zhvillohet kursesi, në një Marrëveshje dypalëshe Kosovë-Serbi, në mungesë të një Pale të Tretë, të pranuar nga Dy Plaët, Kosovë dhe Serbi.

Përndryshe do të hynim në një Aventurë të rrezikshme, që do të sillte herët a vonë dhe Zot na ruajt: Luftë në Ballkan!

Dhe mbi të gjitha, konfigurimi i ri territorial, i Republikës së Kosovës, mund të çonte në zhbërjen e të gjitha njohjeve ndërkombëtare, futjen e Rusisë në një rol të ri rajonal, qasjen e Brukselit si ndaj dy vendeve me cilësi të barabarta, ndërkohë që Kosova, përfitoi me të drejtë simpati të madhe ndërkombëtare, nga statusi i vendit ku genocidi dhe spastrimi etnik, po rilindëte nazizmin në Ballkan.

Sot Vuçiç, është harruar si ish shefi  riosh i propagandës së Milosheviçit, që dhe është fillimi i karierës së tij brilante, sot ay, është, për mendimin tim, një shpresë e rrejshme e Brukselit, që mund të mbyllë një nga portat e shumta të Putinit në Ballkan, rol të cilin ai e luan në perfeksion.

E pra, rezistenca e Haradinajt dhe e vizitës së tij spektakolare në Vlorë, polemika e Prishtinës dhe Tiranës, e sidomos tonet sanguine dhe radikale, janë krejt kundër parimit të gjeopolitikës dhe të politikëbërjes, në favor të interesave kombëtare.

Thaçi duhet të ribëjë stafin e komunikimit dhe ta fillojë nga e para e të na shpjegojë, se çfarë do të thotë realisht, fshat më fshat e për çdo pëllëmbë toke, që përndryshe mbiquhet “korrigjim” kufinjsh…

Shperndaje në: