Qysh e bani Ilir Meta pasuninë marramendëse!

Politika shqiptare vijon me u dominue nga të pasunit.

Përveç vetingut në sistemin e drejtësisë, ka zana që kërkojnë që ai me u shtri dhe në politikë.

Lexoni lajmin e plotë:

Gazeta Tema një ditë më parë publikoi pasurinë e familjes “Berisha”, ku në vitin 2016 fitimet arrinin deri në 1 milion euro. Por në të njëjtat kuota renditet dhe familja “Meta”.

Gazeta publikon sot pasurinë e çiftit presidencial Meta-Kryemadhi, se si ka ndryshuar ajo ndër vite. Meta dihet që ka qenë në politikë që në fillim të demokracisë dhe kjo duket se ka ndikuar në mirëqenien e tyre, pasi që në vitet e para kur nisi deklarimi i pasurisë, vlera e banesave është shumë e lartë.

Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Vlera në atë kohë është deklaruar 60 mijë dollarë, ku thuhet se janë marrë kredi.

Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi.

Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit.

Po ashtu Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro. Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Gazeta ka bërë një përmbledhje të vlerës totale të të gjitha apartamenteve të shitura e blera dhe rezulton se kapin një kosto prej afro 900 mijë eurosh.

Por në këtë llogaritje nuk përfshihet shtëpia në Gjirin e Lalzit, pasi nuk dihet vlera e saj. Kjo do të thotë se fitimi arrin në mbi 1 milion euro.

Shtëpia e tyre, në bregdet është bërë gjithmonë objekt debati dhe sipas deklarimeve në ILDKP, bëhet fjalë për një banesë dy katëshe me sipërfaqe 317 metra katror në Gjirin e Lalzit.

Sipas deklarimit, burimi është këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agi-Kons shpk, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli.

Edhe 13 apartamentet janë përfituar nga po kjo kompani.

Deklarimet sipas viteve

Deklarimet e para në ILDKP datojnë që prej vitit 2003 dhe në këtë vit presidenti Ilir Meta ka deklaruar apartament 2+1 dhe ka pasur në pronësi vetëm 25 për qind të tij.

Po ashtu ka deklaruar një banesë në Golem 327 m2 blerë 60 mijë dollarë, të cilat janë marrë kredi në bankë. Por e njëjta banesë 3 vite më pas është shitur 300 mijë euro. Po në vitin 2003 zoti Meta ka deklaruar pagën e tij si deputet dhe si ministër.

Viti 2004 dhe 2005 nuk kanë sjellë ndryshime për pasurinë e presidentit aktual, ndërsa në 2006 janë shtuar të ardhurat e bashkëshortes, zonjës Monika Kryemadhi, sot drejtuese e LSI.

Interesant është fakti se në vitin 2004 u themelua dhe LSI. Në vitin 2006 të ardhurat e Metës dhe Kryemadhit janë shtuar me 300 mijë euro, pasi kanë shitur banesën në Golem.

Në vitin 2007 Meta ka deklaruar pagën e tij si deputet, ndërsa Kryemadhi pagën si anëtare të Këshillit Bashkiak. Por kryetarja e LSI ka deklaruar dhe blerje 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Në vitin 2008 Meta dhe kryemadhi kanë deklaruar dhe llogaritë e tyre të para në bankë. Po ashtu kanë deklaruar dhe të ardhurat nga puna. E njëjta situatë dhe në vitin 2009.

Por në vitin 2010 dhe për koincidencë vit kur LSI ishte në qeveri me PD, pasuria e tyre ka nisur të lëvizë. Meta ka deklaruar shtesë në llogarinë Bankare Credins Bank 135.318 lekë, apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada me vlerë 400.000 euro, ku është deklaruar se 200 mijë euro janë marrë kredi, ndërsa 200 mijë euro kanë qenë në gjendje cash.

Ka deklaruar pagën si zëvendëskryeministër dhe ministër Ekonomie, 1.768.385 lekë.

Shkollimi i fëmijëve

Në deklarimin që Meta e Kryemadhi kanë bërë pranë ILDKP, bie në sy se kanë disa llogari edhe fëmijët e tyre, shumica të hapura për qëllime studimi.

Vetëm në vitet e fundit është deklaruar se janë shpenzuar 140 mijë paund për shkollimin e tyre në Londër.

Por një tjetër element që tërheq vëmendje është se pavarësisht ekzistencë së disa llogarive bankare, si Meta, ashtu dhe Kryemadhi kanë marrë overdrafte në bankë.

Shperndaje në: