Kujdes! Nji tjetër lojë e rrezikshme po qarkullon në rrjetet sociale

Nuk ka kaluar shumë kohë kur loja e rrezikshme “balena blu” që përfundonte me vetëvrasje, u popullarizua së tepërmi dhe autorët synonin adoleshentët si targetgrup. Fatmirësisht, kjo lojë globale në rrjetet sociale e përhapur edhe në Shqipëri, u zbulua dhe krijuesit e saj u arrestuan.

Por, nji tjetër lojë virtuale e ngjashme po qarkullon së fundmi. Nji karakter kukull, i quejtun “Momo”, i përdorun në këtë lojë të re, synon fëmitë. Por, si funksionon kjo lojë? “Momo” asht nji sfidë që inkurajon fëmitë të shtojnë nji kontakt në Whatsapp. Ky kontakt i ri do t’ju dërgojë vazhdimisht imazhe të dhunshme dhe hapi i fundit i lojës përfundon me vetvrasje. Kjo lojë u krijue mbas nji fotografie të nji skulpture femën që qarkullonte në internet.

Skulptura, me karakteristika groteske, u krijue nga nji artist japonez i kukullave, Midori Hayashi. Kukulla “Momo” ka sy të mëdhej, nji karakteristikë kjo e dukshme. Pamvarësisht krijimit të kësaj kukulle, artisti Midori nuk ka lidhje me këtë lojë të rrezikshme që qarkullon. Kjo sfidë që ka futë në “rrjetën e saj” tashma fëmi në SHBA, Argjentinë, Francë, Meksikë e Gjermani, mund të lidhet me vdekjen e nji 12-vjeçare nga Argjentina. Autoritetet e Buenos Aires po hetojnë lidhjen mes vdekjes së çikës dhe kësaj loje të quejtun “Momo”.

Simbas mediave botnore, thuhet se 12-vjeçarja kishte postue selfie tue ba disa sfida përpara aktit të vetvrasjes. Autoritetet e shteteve të tjera janë të shqetësueme për damet që mund të shkaktojë kjo lojë e re e rrezikshme, mbasi vazhdon të qarkullojë në mediat sociale, si Whatsapp. Prindët këshillohen që të kontrollojnë vazhdimisht telefonin dhe rrjetet sociale të fëmive të tyne. Nëse ju vjen nji njoftim nga kjo lojë e quejtun “Momo” dhe me fotografinë e kësaj kukulle, refuzojeni!

 

Shperndaje në: