Drita shkruen historinë, fiton titullin e parë të Superkupës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’

Skuadra e Dritës asht fituese e Superkupës së Kosovës për vitin 2018.

Kampionët e Kosovës kanë mposht 2:1 Prishtinën në finalen e Superkupës së Kosovës të zhvillueme në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që hapi dyert për të parën herë mbas rinovimit.

Kryeqytetasit e dominuen në tanësi pjesën e parë, tue provue disa herë e tue qëllue tri herë shtyllën.

Mbas shumë tentative, skuadra e Mirel Josës zhbllokoi ndeshjen në minutën e 34’, me nji goll të bukur të shënueme nga Mankenda.

Me rezultat 0-1 në të mirë të Prishtinës, përfundoi pjesa e parë.

Derisa pjesa  e parë solli spektakël në tribuna, nuk mund të thuhet edhe për të dytën, ku tifozët e Dritës, ‘Intelektualët’ ndërprenë ndeshjen për disa momente mbas hedhjes në fushë të fishekzjarrëve, në nji test shumë të randësishëm për Kosovën para syve të inspektorëve të UEFA’s.

 

Në minutën e 64’, Drita arriti me barazue në 1:1, kur Fidan Gërbeshi realizoi nga penalltia.

Ky goll i bani mirë Dritës që nisi me kërkue edhe gollen e përmbysjes së rezultatit.

Luhej minuta e 82’ kur nji kundërsulm i nisun shpejtë nga lojtarët e Dritës, nxori para portierit sulmuesit Betim Haxhimusa, që nuk dështoi para Visar Bekajt për 2:1.

Ky asht trofeu i parë i Superkupës në histori të klubit të Dritës, ndërsa Prishtina mbetet me 9 të tillë.

Shperndaje në: