Kjo asht deklarata e Ambasadorit gjerman për ndryshimim e kufijve


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christain Heldt, ka thanë se Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka qenë e qartë në deklaratat e saj për korrigjimin e kufijve, mbasi simbas tij këto kohë kanë kalue njiherë e përgjithmonë.

Ai këto komente i bani mbas nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Financave për krijimin e vendeve të reja të punës në bujqësi, në vlerë prej 6.5 milionë euro.

Diplomati gjerman gjatë kësaj konference ka komentue edhe për liberalizimin e vizave.

Tue ofrue mbështetje të qartë për liberalizimit e vizave, ai hezitoi me dhanë nji datë të saktë se kur kosovarët kanë me lëvizë lirshëm drejt vendeve europiane.

“Unë jam jashtëzakonisht hezitues për të folur për datat e sakta për proceset që unë nuk mund t’i kontrolloj, kështu që unë do të thosha se po, unë absolutisht shpresoj se sa më shpejt, aq më mirë. Kjo kërkesë nga Kosova si vendi i vetëm në kontinent ku veçanërisht të rinjtë nuk janë në gjendje të udhëtojnë dhe të zbulojnë Evropën së cilës ata duhet t’i bashkohen nuk është një gjendje e kënaqshme. Ky është një proces ku nga pala kosovare janë përmbushur kushtet në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe tani duhet të kalojmë nëpër procese në Bruksel dhe në kryeqytetet e shteteve anëtare, pasi që Këshilli duhet të reflektojë mbi rekomandimet e Komisionit”, ka thanë ai.

Për korrigjimin e kufijve, ambasadori gjerman u shpreh se çashtja e ndryshimeve të kufijve ka përfundue njiherë e përgjithmonë.

“Mendoj se ky kontinent ka parë mjaft sa i përket kufijve në shekujt e kaluar. Pra, le të përpiqemi të përmirësojmë jetën e qytetarëve, të cilit do komunitet që i përkasin në vendet përkatëse dhe mos të përpiqemi të zgjidhim ndryshimet kufitare. Unë mendoj se këto kohë kanë kaluar njëherë e përgjithmonë”, u shpreh ambasadori gjerman në Kosovës.

I pyetun rreth procedurave hetimore për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic në fillim të këtij viti në veri, Heldt preferoi të mos përgjigjet tue thanë se “është një traditë e mirë që të mos komentohet për hetime të cilat janë në vazhdim”./KP

Shperndaje në: