Abdixhiku: E vërteta del dikur, por me 19 mijë mashtrues e 40 milionë të vjedhuna


Deputeti i LDK’s, Lumir Abdixhiku ka reague për debatin e ngritun së fundi lidhun me mashtrimet me listat e veteranëve të UÇK’s.

Abdixhiku thotë se veteranët mashtrues përfaqësojnë kapjen e shtetit.

Ai tutje ka kujtue edhe kohën kur në Kuvend kërkoi pastrimin e listave të veteranëve, mirëpo nuk gjeti përkrahjen e deputetëve.

Gjeni pa ndërhymje reagimin e Abdixhikut:

E vërteta del dikur.

Kur të del, del me 19,000 mashtrues.

Kur para një viti kisha ngritur në Parlament temën e listave mashtruese të veteranëve, s’mbet deputet i interesave të kapjes që s’u morr me mua. E tëra çfarë kërkoja ishte pastrim i listave, ndjekje penale ndaj mashtruseve, vendosja e pragut maksimal e përmirësimi i pozitës së veteranëve të vërtetë. Ishte e kotë çfarë flisja; s’donin të dëgjonin hiç. Jo pse s’kisha të drejtë, por sepse të njëjtit ishin pjesë e mirëmbajtjes së skemës së mashtrimit. Fundja, skema si këto – e të tjera plot – u sigurojnë votat në pushtet.

Si përgjigje ndaj kërkesës sime, disa më thanë ‘ti e urrenë UÇK-në’, të tjerë se jam ‘UDB’, e dikush në fund tha – në thellësinë e injorancës – ‘le të dalin edhe 100 mijë se për këtë kena luftu’. Paramendoni.

Për çka keni luftu? Me i zhvatë nga 40 milionë euro në vit? Kujt po ja merrni këto para? Bashkëqytetarëve tuaj të varfër që s’kan spitale, shkolla e shtet minimalisht? Çfarë vlere qenka kjo?

E vërteta është se ju s’përfaqësoni as më të paktën e vlerës së luftës. As s’përfaqësoni interesat e veteranëve njëmend. Ju përfaqësoni kapjen. Kaq është përfaqësimi juaj në këtë vend. Dhe në këtë kapje, ju fusni dhe më të shenjtën e këtij vendi. Edhe dëshmorin, edhe veteranin, edhe vet luftën e çlirimim – sepse s’keni kufi.

19,000 mashtrues.

40 milionë euro vjedhje në vit.

E vërteta del dikur. Fatkeqësisht, derisa të dalë, me vete bartë koston e rrënimit moral, financiar e shoqëror të shtetit; të t’shkuarës, të t’tashmes e të t’ardhmes së tij. E keni flliqë! Po të merrnim vendim atëherë, siç propozoja ujë, do t’i kishim 40 milion euro sot më shumë.

Shperndaje në: